
Ish-shërbyesi i Papa Benediktit të XVI do të dalë para gjykatës në Vatikan javën e ardhshme për akuzën e vjedhjes së dokumentave konfidenciale të Selisë së Shenjtë.
Paolo Gabriele, 46 vjeç, dikur një ndër njerëzit më të afërt të Atit të Shenjtë, ka pranuar se ka vjedhur dokumentet sekrete të Vatikanit dhe ia ka dorëzuar ato mediave italiane që çoi në shpërthimin e asaj që u quajt më vonë “VatiLeaks”.
Dokumentet u publikuan në librin “Hirësia e Tij: Letrat sekrete të Papa Benediktit të XVI-të” në muajin maj, të shkrimtarit dhe gazetarit investigativ italian, Gianluigi Nuzzi. Nuzzi publikon letër-këmbimin sekret mes Papës dhe ish-numrit dy në administratën e Vatikanit, Calro Maria Vigano. Në letër flitej për një skandal korrupsioni dhe dyshimet për pastrim parash të Claudio Maria Vigano.
Në letër, Vigano i kërkonte Atit të Shenjtë të mos e transferonte nga Vatikani pasi kjo do të shkurajonte bashkëpunëtorët e tij në “pastrimin e disa situatave të pakëndëshme korrupsioni dhe pastrimi parash”.
“Ati i Shenjtë, transferimi im në këto momente do të shkaktonte përshtjellim dhe shkurajim tek të gjithë ata persona që besojnë në ‘pastrimin’ e gjithë këtyre situatave korrupsioni dhe abuzimi”, shkruante Vigano. Megjithë kërkesën e tij, Vigano u transferua në Shtetet e Bashkuara me detyrën e arqipeshkopit.
Vatikani ka paralajmëruar se gjyqi do të zhvillohet me dyer të mbyllura, me praninë e vetëm tre gazetarëve dhe pa kamera. Bashkë me 46-vjeçarin Paolo Gabriele, në gjyq më 29 shtator do të dalë edhe Claudio Sciarpelleti, një informaticien që dyshohet se ka ndihmuar Gabriele-n në përvetësimin e dokumentave. Ky fundit nëse shpallet fajtor, rrezikon të dënohet deri në gjashtë vite burgim.
Top Channel