
Rreth 1 mijë ish-pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës kërcënojnë me greva dhe protesta. Të gjendur para vështirësive ekonomike, por edhe të zhgënjyer me mosplotësimin e premtimeve të qeverisë se si ish-pjesëtarët e TMK-së do të punësohen, ata thonë se do të dalin në rrugë.
Shukrim Lika, një ndër 1 mijë ish-pjesëtarët e TMK-së, të cilët nuk patën fatin të jenë pjesë e FSK-së, ka deklaruar se së bashku me kolegët e tij do të ngrejnë zërin për gjendjen e mjeruar në të cilën janë ish-pjesëtarët e TMK-së.
Ai ka shtuar se, katërmbëdhjetë vite pas luftës nuk mund të ndodhe që ish-pjesëtarët e TMK-së të mbeten pa bukë dhe të shkojnë deri në vetëvrasje.
“Neve na është premtuar nga institucionet e vendit, nga qeveria, ministria e FSK-së dhe Shtabi i përgjithshëm i TMK-së në atë kohë, se do të bëhet një zgjidhje në afat të shkurtër kohor. Do të bëhet një risistemim dhe se prej një pune do të kalojme në një punë tjetër, gjë e cila nuk ndodhi kurrë, fatkeqësisht”, ka thënë ai.
Ish-pjesëtarët e TMK-së tashmë kanë vendosur t’i drejtohen presidentes së vendit si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Avokatit të Popullit, ambasadës amerikane dhe institucioneve të tjera për t’i njohur me problemet e tyre.
Top Channel