Filmi, Hezbollah nxit protesta të tjera

17/09/2012 08:00

Lideri i grupit militant mysliman Hezbollah, ka bërë thirrje për protesta të reja ditën e hënë.

Sheiku Hassan Nasrallah bëri të ditur se “myslimanët nuk do të qëndrojnë të heshtur para këtij ofendimi të rëndë”, duke iu referuar filmit që ka shkaktuar protesta të shumta në botën arabe pasi ofendon profetin Muhamed dhe fenë islame.

Në një fjalim për televizionin e Hezbollahut, al-Manar, Nasrallah apeloi për protesta të reja gjatë kësaj jave që do të nisin të hënën në Bejrut, një fortesë e Hezbollahut.

“Filmi është ofendimi më i rrezikshëm që i është bërë ndonjëherë Islamit. Është më keq se romani i Selman Ruzhdi “Vargjet Satanike” dhe karikatura e profetit Muhamed që u publikua në një gazetë daneze në vitin 2005”, theksoi sheiku Nasrallah.

“Meritojnë dënim ata që janë përgjegjës për filmin dhe ata që qëndrojnë pas tyre duke i mbështetur. Mbështetësit kryesorë dihet që janë SHBA-të”, shtoi kreu i Hezbollah.

Protestat janë përqendruar në ambasadat dhe konsullatat amerikane për faktin se filmi është prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas BBC, të dielën një person ka vdekur në përleshjet mes protestuesve dhe policëve në Pakistan.

Filmi “Pafajësia e Myslimanëve” është një prodhim shumë i dobët që e përshkruan profetin Muhamed si një njeri të etur për pushtet dhe të çmendur. Gjithashtu në film ka skena ku tregohet profeti Muhamed duke bërë seks me gruan e tij dhe me shumë gra të tjera.

Protesta të tjera në Kabul

Nuk përfundojnë protestat për filmin e profetit Muhamed. Më shumë se një mijë afganë kanë protestuar para bazave të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kabul.

Dy makina policie janë djegur dhe nga turma është shtënë me armë zjarri ndaj agjentëve të cilët nuk janë kundërpërgjigjur.

Sipas BBC, shefi i policisë së Kabulit është plagosur nga një gur i lëshuar nga demonstruesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA