Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Halit Krasniqi ka kërkuar dorëheqejn e zëvendëskryeministtrit Behgjet Pacolli.

Ai tha se do të ishte e moralshme që zv.kryeministri Pacolli, i cili nuk e ka pasur guximin të bëjë denoncim të menjëhershëm në organet e drejtësisë për çështjet që janë ngritur, të japë dorëheqje duke krijuar mundësi për rishikimin e koalicionit aktual qeverisës.

Krasniqi po kështu i bëri thirrje kryeministrit Thaçi që të mendojë për ndryshime serioze në koalicionin qeverisës. Ai kërkoi reformatim me mundësi të zgjerimit me partnerë të tjerë, por me kërkesën që PDK-ja të ruajë rolin udhëheqës.

“Institucioni i moralit politik, i cili duhet të funksionojë vazhdimisht, e sidomos me këto zhvillime, e kërkon dorëheqjen nga funksioni medoemos dhe në mënyrë të parevokueshme për t’u krijuar hapësirë institucionale veprimeve të drejtësisë. Goditje më të rëndë mbi imazhin e qeverisë nuk kemi pasur asnjëherë”, tha Krasniqi.

Javën e kaluar Pacolli akuzoi ish-zëvëndësministrin e Financave, Astrit Haraçia, se i ka kërkuar 3 milionë e 600 mijë euro për të zgjidhur kontestin pronësor të hotelit ‘Grand’.

Bëhet fjalë për një nga hotelet më të vjetra në Prishtinë, në pronësi shtetërore por privatizimi i të cilit është bllokuar bllokuar prej një kohe të gjatë. Një nga pretendentët për ta blerë është edhe ish-presidenti Pacolli.

Top Channel