
Në vizitën e parë në Bruksel si president i Republikës, Bujar Nishani u takua fillimisht me presidentin e BE-së, Herman Van Rompuy, me të cilin biseda u fokusua mbi ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së dhe rolin e vendit në rajon.
“Unë përsërita dëshirën time për të parë Shqipërinë të bëjë progres në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Është tashmë e rëndësishme që reformat politike të vijojnë. Inkurajoj qeverinë dhe opozitën të shfrytëzojnë së bashku këtë shans, për të arritur rezultate konkrete në adresimin e 12 kritereve kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit”, deklaroi Van Rompuy, i cili vuri theksin edhe në pikat më të rëndësishme.
“Respektimi i shtetit të së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është thelbësor. Dhe unë mirëpres angazhimin e fortë të presidentit për reformën e gjyqësorit”, theksoi presidenti i BE-së.
Van Rompuy përsëriti se integrimi evropian duhet të jetë një përpjekje reale kombëtare, një projekt gjithpërfshirës dhe se për suksesin e vendit është thelbësor një dialog politik i qëndrueshëm dhe konstruktiv. Nga ana e tij, presidenti Nishani raportoi për situatën politike, ekonomike dhe për reformat në vend.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se kemi arritur shumë, ashtu siç jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që mbeten para nesh, si dhe për nevojën për të përforcuar edhe më tej arritjet e deritanishme, si dhe për të punuar fort për standarte më të larta. E sigurova presidentin Van Rompuy për angazhimin tim të fortë si president i Shqipërisë, për të bërë më të mirën, për të kontribuar për përforcimin e frymës konstruktive të bashkëpunimit”, deklaroi Nishani.
Presidenti i BE-së deklaroi se nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen evropiane të vendit, por progresi konkret varet krejtësisht nga Shqipëria dhe nga performanca e saj për të dhënë rezultate në fushat kyçe. Vlerësimet e Komisionit për këtë, në progres-raportin e 10 tetorit, do të diskutohen nga vendet anëtare në Këshillin Evropian të muajit dhjetor.
Barroso: Statusi është i mundur, bëni reformat
Ndërkohë, pas konferencës me Van Rompuy, presidenti Nishani zhvilloi një takim me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, nga i cili mori të njëjtin mesazh.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Barroso deklaroi se Shqipëria ka shënuar progres në disa fusha, ndërsa bëri thirrje për më shumë punë në disa fusha të tjera.
“Miratimi i Kodit Zgjedhor të rishikuar dhe arritjet në adresimin e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit të vitit 2010, në fusha si shteti i së drejtës, reforma në administratën publike dhe të drejtat themeltare, janë hapa konkretë në drejtimin e duhur. Duke u bazuar në progesin e arritur deri më tani, Shqipëria mundet, dhe duhet, që tani të bëjë më shumë”, deklaroi Barroso, i cili vuri edhe piketat.
“Nuk duhen kursyer as përpjekjet dhe as vendosmëria për të adresuar çështjet e mbetura, që kanë të bëjnë me reformat institucionale, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimin për shtetin e së drejtës, përfshirë një gjyqësor të pavarur dhe efikas”, theksoi ai.
Ndërsa presidenti Bujar Nishani, njësoj si në takimin me Van Rompuy, premtoi angazhimin e tij për ruajtjen e dialogut konstruktiv mes palëve politike në vend. Nga ana e tij, Barroso dha mesazhin e radhës për klasën politike.
“Shqipëria po shënon progres. Përpjekjet e përbashkëta mes qeverisë dhe opozitës për të përparuar në axhendën evropiane dhanë rezultate. Jam i sigurtë se ata do ta shfrytëzojnë këtë shans dhe i bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë në vend që të ruajnë një konsensus të fortë dhe konstruktiv përreth së ardhmes evropiane të Shqipërisë. Kjo është rrugëdalja për sukses”, theksoi Barroso.
“Më lini të jem shumë i qartë, Shqipëria po shënon progres dhe unë besoj se perspektiva e Shqipërisë për progres në vitin 2012 është e vërtetë, si dhe se statusi kandidat është i arritshëm. Tashmë është në duart tuaja, që me ndihmën tonë, të bëni atë që nevojitet për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të integrimit”, vijoi presidenti i KE-së.
Vlerësimi përfundimtar i Komisionit Evropian pritet të publikohet më 10 tetor, para se t’i kalojë për shqyrtim vendeve anëtare në dhjetor, të cilat kanë fjalën e fundit për dhënien apo jo të statusit kandidat për vendin.
Top Channel