Berisha-Rama debat për ekonominë

17/09/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha e ka ndjekur me vëmendje rivalin e tij politik Edi Rama, kur ai shpalli të shtunën disa nga tezat e programit ekonomik të Partisë Socialiste dhe natyrisht me këto teza asnjëra nga palët nuk kanë gjë të përbashkët.

Duke nisur me privatizimin më të bujshëm, atë të Albpetrolit, për të cilin Edi Rama është kundër asaj që e quan privatizim i sektorit të naftës dhe heqje e të drejtës së qeverisë mbi pasurinë kombëtare, ndërsa Sali Berisha përdor termin ligjor privatizim të shoqërisë Albpetrol, të cilës i jepen të drejta konçensionare për 25 vjet.

“Deklarata është unike. Nuk ka vend që shet të drejtën e shfrytëzimit. Po nëse asnjë vend nuk e shet këtë të drejtë a mund të pyesim zotin Rama gjigandët botërorë të naftës, ku ekspolorojnë?! Në Mars? Në Hënë apo në tokë? Po zoti Rama,  ka një njeri që e riktheu dhe ky është diktatori Hugo Chavez. dhe nuk asnjë tjetër. Tani, t’u thuash të tjerëve a ka shtet në botë që shet të drejtën ose je i verbuar nga Chavez, ose nuk di fare cfarë është konçesioni”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha reagimi i kreut të opozitës kundër privatizimeve është jo vetëm vazhdimësi e kundërshtimit të marrëveshjeve të qeverisë me sektorin privat, që sipas tij në 3 vitet e fundit kanë investuar në Shqipëri 3.2 miliardë dollarë, por është edhe në kundërshtim flagrant me tezat e ekonomistëve më të njohur në botë se privatizimi i ekonomisë është rruga më e mirë për t’u mbrojtur nga kriza.

Kryeministri Berisha i kërkoi kreut të opozitës të mos përdorë shifra të rreme për të mbajtur në këmbë tezat se korrupsioni dhe mjerimi gjatë qeverisjes Berisha është më i madhi në 100 vite shtet.

Me sjelljen në vëmendje të qendrimit të Bankës Botërore se gjatë qeverisjes socialiste korrupsioni u kthye në sistem, kryeministri e analizoi në një këndvështrim tjetër qendrimin e kreut të opozitës, të cilin e akuzon herë pas here për reminishenca enveriste.

“Më duhet t’i them zotit Rama se në rast se e përdor një tezë të tillë, synon të fshish nga memoria kombëtare periudhën më të zezë të historisë së këtij kombi, periudhën e diktaturës, ku 2/3 e qytetarëve vuanin nga uria kronike. Në rast se përdor 100-vjetorin e Pavarësisë për të cliruar regjimin e Enver Hoxhës nëpërmjet kësaj akuze, bën një skandal të vërtetë. Unë nuk them që nuk ka korrupsion. Po, korrupsion ka, në tatime, dogana apo pjesë të tjera të administratës, por është e vërtetë që ka edhe një luftë konstante kundër korrupsionit me rezultate konkrete”, deklaroi kreu i mazhorancës.

Duke e cilësuar programin e Partisë Socialiste si projekt të kaosit ekonomik, kryeministri Berisha ironizoi zotin Rama si të pabesueshëm në premtimet e tij për biznesin.

“Hiq dorë nga populizmi se mbi populizmin nuk ndërtohen alternativa. Do heq taksën dhe do paguash më pak janë dy gjëra të ndryshme dhe kam bindjen se asnjë biznesmen nuk i beson këto”, tha Berisha.

Rama: Saliu, jashtë realitetit ekonomik

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha i cili në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat kritikoi programin e socialistëve për të ardhur në pushtet.

Reagimi i sotëm i kryeministrit ndaj opozitës mbi ekonominë, thotë Rama në profilin e tij në rrjetin social Twitter, ndihmon për të kuptuar se Saliu jeton jashtë realitetit të ekonomisë shqiptare. Sulmet ndaj opozitës nuk ulin taksat, nuk rrisin fuqinë blerëse, nuk ulin papunësinë, vijon Rama.

Kryesocialisti shton se kryeministrit Berisha i kanë shteruar argumentet, ndaj për të hequr vëmendjen nga gjendja e ekonomisë sulmon opozitën. Rama premton se me ardhjen në pushtet të socialistëve do të ulen taksat për 95 përqind të shqiptarëve dhe do heqë atë që ai e quan taksën e korrupsionit për biznesin, nëpërmjet programit për një Rilindje Shqiptare.

Zgjedhja është e qartë: Rrënim i mëtejshëm ose Rilindje Shqiptare për të rimëkembur ekonominë, ripërtërirë shoqërinë dhe rivendosur demokracinë, mbyll reagimin e tij kryetari i PS-së.

Top Channel