Përfaqësues të spikatur të politikës shqiptare, në qeveri dhe opozitë janë bashkuar sot në Pezë, duke nderuar 70 vjetorin e Konferencës së Pezës.
Demokratët, socialistët, Lëvizja Socialiste për Integrim, megjithëse ndahen në disa aspekte të historisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, bashkohen në vlerësimin se zhvillimi i Konferencës së Pezës më 16 Shtator 1942, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftës dhe rezistencës së shqiptarëve kundër pushtimit fashist.
Konferenca e Pezës njihet si perpjekja e parë madhore për unifikimin e faktorit shqiptar, duke e renditur vendin përkrah koalicionit botëror anti-fashist.
Platforma kryesore e konferencës ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahinë dhe ideje në frontin nacionalclirimtar.
Ajo që duhet të kishte finalizuar vendimet për bashkim të Konferencës së Pezës, do të duhej të ishte Konferenca e Mukjes, që shënoi një vit më vonë edhe ndarjen përfundimtare mes faktorit politik shqiptar. Që prej asaj kohe edhe momente të ndryshme të historisë së vendit interpretohen ndryshe, duke përfshirë edhe kremtimin në ditë të ndryshme të festës së clirimit të vendit.
Top Channel