Milani në krizë, Allegri fajëson psikologjinë

16/09/2012 11:10

Milani provoi vërshëllimat e publikut të tij në “San Siro”, pasi mungesa e plotë e lojës dhe e ideve u “shpërblye” me një humbje të dhimbshme në shtëpi përballë Atalantës (0-1).

Dukshëm i sikletosur dhe i trishtuar në përfundim të ndeshjes, trajneri Allegri përsëri kundërshtoi komentet e shtypit mbi cilësinë e ulët të skuadrës pas largimeve të merkatos, duke ia vendosur fajin një problemi “psikologjik momental”.

”Nuk është e pëlqyeshme të humbasësh. Duhet të kërkojmë golin me më shumë këmbëngulje. Nuk po ecim mirë dhe në këtë moment duhet edhe më shumë këmbëngulje dhe vendosmëri. Skuadra ka ndryshuar shumë, por ajo që duhet të bëjë është të zbresë në fushë dhe të luajë pa shqetësimin se është më pak e fortë se më parë, edhe sepse është gjithsesi një skuadër që mund të mposhtë këdo”.

Me dy humbje në dy ndeshje në shtëpi, ndaj dy ekipeve të kalueshëm si Atalanta dhe Sampdoria, Milani i këtij fillim sezoni po lë shumë për të dëshiruar në fushën e lojës.

”Kemi një problem psikologjik për momentin. Mungesë personaliteti pas largimit të liderve? Personalitetit do të piqet me rezultatet. E rëndësishme është që futbollistët të jenë të bindur në aftësitë e tyre dhe faktin se ndonëse të rinj, luajnë tek Milani dhe duhet të konkurrojnë për gjithçka. Fillimi nuk është i dëshiruari, por në krahasim me një vit më parë, kemi një pikë më shumë pas tre javëve të para. Mbase kjo është një shenjë e mirë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA