Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës janë duke u bërë përgatitjet e fundit për konferencën ndërkombëtare të 21 shtatorit.

Aty do të publikohen rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i realizuar në prillin e vitit 2011 dhe pritet që të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Përmes këtyre rezultateve do të dihen detaje të shumta për popullsinë rezidente të Kosovës.

“Rezultatet do të tregojnë saktësisht numrin e banorëve në Kosovë, së bashku me edukimin, kushtet e jetesës, lëvizshmërinë e popullatës, si dhe do të ketë të dhëna për mjedisin. Sigurisht do të dalë saktësisht përqindja edhe e përkatësisë etnike dhe fetare”, deklaroi Hazbije Qeriqi, zëdhënëse e Agjensisë së Statistikave të Kosovës.

Në anën tjetër, gjatë së shtunës, Melihate Tërmkolli nga AAK tha se ky regjistrim është i dështuar, ndërsa ka akuzuar ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, që vjen nga radhët e komunitetit turk se ka sjellur bashkëkombas të tij nga Turqia për të rritur numrin e tyre.

“Është një proces i cili teknikisht nuk është realizuar mirë. Substancialisht ka lënë vend për të dëshiruar. Ka lënë probleme shumë të mëdha dhe të hapura, përfshirë edhe mosregjistrimin e serbëve në veri, por edhe mosregjistrimin e shumë qytetarëve tjerë brenda Kosovës. Probleme të tjera janë përpjekja për të rritur numrin e pjestarëve të pakicave, sidomos asaj turke. Ministri Yaglicarka sjellë autobuzë me turq nga Turqia, për të rritur numrin e të regjistruarve në census”, deklaroi  Melihate Tërmkolli, anëtare e kryesisë së AAK.

I pyetur për këto akuza, ministry Yagcilar, tha për “Top Channel” nëpërmjet telefonit se “unë nuk e di çfarë është thënë dhe se çbazë kanë këto akuza. Megjithatë, fatkeqësisht nuk është hera e parë që bëhen akuza të tilla ndaj meje”.

Ai ka shtuar se “regjistrimi është vlerësuar pozitivisht nga Zyra e Statistikave të Komuniteteve Europiane (EUROSTAT) dhe nga Bashkimi Europian. Regjistrimi është bërë nga ana e komisioneve komunale nën menaxhimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe nga UNOPS-i”, tha ministri Yagcilar.

Sipas rezultateve jopërfundimtare të publikuara më parë numri i përgjithshëm i banorëve që jetojnë në Kosovës është rreth 1 milion e 734 mijë, duke përjashtuar komunat veriore të Kosovës, Leposaviçin, Zubin Potokun, Zveçanin dhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Për këtë pjesë pritet që në një të ardhme të publikohen rezultate duke u mbështetur në vlerësime, përmes hulumtimeve që janë bërë.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është realizuar për 15 ditë, tre dekada që nga regjistrimi i largët i vitit 1981, i kryer gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA