
Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese në pjesët që kanë të bëjnë me
marrëveshjen politike, vazhdojnë të mbeten peng i mosmarrëveshjeve në
mes PDK-së dhe LDK-së.
Kryetari i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kur do të procedohen në Kuvend ndryshimet e bëra.
“Është një çështje që duhet të përgatitet mirë, sepse për kalimin e këtyre amendamenteve, kërkohet mbështetja e 2/3 të shumicës dhe 2/3 e pakicës. Mendoj se ato nuk do të vendosen në një votim formal para se të ndërtohet ky konsensus. Momentalisht, kemi një ngecje të këtij procesi, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike sa i takon mandatit të presidentes. Por, unë po shpresoj që reforma kushtetuese dhe zgjedhore, do të implementohet deri në fund të vitit”, tha Bajrami, ben te ditur Europa e Lire.
Për shtyrjen përpara të këtyre proceseve, thuhet se është i nevojshëm një konsensus i grupeve parlamentare të partive politike.
Bajrami thotë se për arritjen e këtij konsensusi nevojitet angazhimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Kryetari i Kuvendit duhet ta ketë një rol kyç në këtë proces, sepse ai duhet të thirret në tryezën e grupeve parlamentare dhe të ndërtojë konsensusin që këto ta kenë shumicën e kërkuar me Kushtetutë”, u shpreh Bajrami.
Kurse, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kishte deklaruar para pak ditësh se ndryshimet kushtetuese dhe ato zgjedhore, do të procedohen, atëherë kur të jenë të gatshme.
Top Channel