Kinë, vezë dhe shishe ambasadës japoneze

15/09/2012 00:00

Mbi 60 mijë persona kanë marrë pjesë të shtunën në protestat kundër Japonisë në të paktën 24 qytete kineze, si përgjigje ndaj pretendimeve të Tokios për ishujt Senkaku.

Manifestuesit i kanë dhënë jetë protestës më të madhe që prej vitit 1972, viti kur u normalizuan marrëdhëniet dypalëshe.

Agjencia e lajmeve “Kyodonews”, duke cituar një burim diplomatik, njofton se në disa raste protestuesit janë përleshur me policinë dhe kanë shkatërruar vetura të markave japoneze.

Gjithashtu, shishe plastike dhe vezë janë hedhur ndaj forcave të policisë dhe përfaqësisë diplomatike japoneze në një prej qyteteve.

Në radhët e disa manifestuesve ka pasur edhe të arrestuar, disa prej të cilëve kanë bërë edhe rezistencë ndaj forcave të rendit.

Një ditë më parë, gjashtë anije patrulluese kineze hynë në ujërat e grupit të ishujve, që përvec Kinës dhe Japonisë pretendohen edhe nga Tajvani.

Në një deklaratë, Pekini theksoi se anijet ishin dërguar në zonë për të treguar të drejtën e sovranitetit mbi ishujt e njohur si Diaoyu në Kinë dhe Senkaku në Japoni.

Të paktën dy prej anijeve u tërhoqën, pasi roja bregdetare japoneze paralajmëroi se do të hapte zjarr, ndërsa incidenti përbën një përshkallëzim të ri të konfliktit në këtë zonë të debatuar të Detit të Kinës Jugore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB