Teuta – Tirana, ndahen në barazim

14/09/2012 22:50

Ndeshja mes Teutës dhe Tiranës e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore nuk pati fitues. Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, 90 minutat e kësaj ndeshje përfunduan me rezultatin 1-1.

Në pjesën e parë ishte Tirana që qarkulloi më shumë topin, por Teuta pati raste më të mira. Skuadra durrsake e pati shansin e parë që në minutën e 5-të me anë të Nikës, por ky i fundit që ishte shumë pranë portës nuk mundi dot ta dërgojë topin në rrjetë.

Ai që mendoi të zhbllokojë rezultatin ishte Deliallisi që vetëm disa sekonda më vonë, gjuajti fort nga jashtë zonës për të mposhtur portierin Ilion Lika.

Teuta pati edhe momente të tjera për të shënuar golin e dytë dhe më i miri ishte ai i Daniel Xhafajt. Por sulmuesi nuk mundi të devijojë sic duhet. Një krosim në zonë dhe topi u ndal vetëm nga shtylla.

Për Tiranën mund të përmendim një goditje dënimi të Likës, me topin që përfundoi jashtë dhe një rast tjetër në minutën e 30 me Ahmataj, por  Rizvani nuk lejoi që të shënohej goli i barazimit.

Në pjesën e dytë, Tirana vendosi ekuilibrin në fushën e lojës falë golit te shenuar nga Ahmataj. Teuta pati mundësinë më të mirë për të rimarrë avantazhin me anë të Veliajt, po ky i fundit nuk mundi dot të dërgojë topin në rrjetë edhe pse ishte shumë pranë portës.  

Në minutat e mbetura nuk pati asgjë për të shënuar dhe të dyja skuadrat dolën nga fusha e lojës me nga 1 pikë secila. Pas kësaj ndeshje, Tirana ngjitet në kuotën e 7 pikëvë, ndërsa Teuta arrin në 4 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA