Presidenti shqiptar Bujar Nishani ka qëndruar të premten për një vizitë njëditore në Ohër, ku ka realizuar një takim joformal me kolegun e tij maqedonas Gjorgje Ivanov.
Takimi i parë mes tyre ka zgjatur rreth dy orë, ndërsa asnjëri nga presidentët nuk është prononcuar për mediat.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra për shtyp e presidetit maqedonas Ivanov thuhet se në fokusin e bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet e deritanishme dypalëshe dhe fushat ku duhet thelluar bashkëpunimi.
Sipas komunikatës, dy presidentët kanë shprehur përkushtimin dhe angazhimin për proçeset integruese. Ata po ashtu kanë shkëmbyer mendime edhe për çështjet aktuale në rajon dhe në të dyja vendet, duke nënvizuar se ato duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe respektit të ndërsjelltë.
Në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentit Ivanov nuk përmendet Marrëveshja e Ohrit, edhe pse burime jozyrtare bëjnë të ditur se Nishani ka kërkuar që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht.
Po ashtu, nuk bëhet e ditur se çfarë është biseduar për krizën politike në koalicionin qeveritar në Shkup, që u shkaktua nga një projektligji që nga faktori shqiptar në Maqedoni vlerësohet si përjashtues për shqiptarët.
Ndërkohë, gjatë udhëtimi drejt Maqedonisë, një nga automjetet e Gardës së Shqipërisë, pjesë e eskortës së presidentit Bujar Nishani, është aksidentuar në afërsi të Peqinit.
Si pasojë e aksidentit, gjeti vdekjen drejtuesi i mjetit Arben Zhuzhi, ndërsa I plagosur por jashtë rrezikut për jetën është shoqruesi tjetër Vilson Tabaku. Dyshohet se aksidenti ka ardhur për shkak të rrugës së lagur nga shiu dhe shpejtësisë.
Top Channel