Merkel në mbështetje të futbollistëve gay

14/09/2012 10:15

Dy ditë pas publikimit nën anonimat të një interviste të gjatë të një futbollisti homoseksual të Bundesligës, Kancelarja Angela Merkel doli në mbështetje të komunitetit gay dhe i kërkoi sportistëve që të deklarojnë homoseksualitetin e tyre.

”Futbollisti i asaj interviste, ashtu si çdo profesionist tjetër, jeton në një shtet në të cilin nuk ka përse të ketë frikë që të pranojë homoseksualizmin e tij”, deklaroi Merkel në ditën përkujtimore të bashkimit të Bundesligës me kampionatin e Gjermanisë Lindore, në vitin 1990. “Askush nuk duhet të ketë frikë, ky është misioni im politik”, shtoi Kancelarja.

Ditën e martë, revista “Fluter” publikoi intervistën e një gazetari me një futbollist profesionist të nivelit më të lartë të kampionatit gjerman, i cili foli vetëm me kusht që identiteti i tij të mos bëhej i ditur.

Futbollisti rrëfeu se sa e vështirë është për të që të jetë homoseksual në një botë si ajo e sportit, ndërsa pranoi se ka frikë që të bëjë dalje publike dhe të pranojë orientimin e tij seksual.

”Nëse homoseksualiteti im do të mësohej, atëherë nuk do të isha më i sigurt dhe karriera ime mund të shkatërrohet. Megjithatë, nuk e di përsa kohë do të jem në gjendje që të ruajë këtë konflikt midis asaj që jam dhe asaj që njerëzit besojnë se duhet të jem”, rrëfente futbollisti në revistë.

Lojtari shtoi se aktualisht nuk ka një të dashur, ndërsa lidhja e tij e fundit “u helmua nga sekreti” që i duhet të mbante.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA