Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga shprehet e gatshme për të biseduar me qytetarët e veriut, përfshirë këtu serbët e komunës së Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Ajo kërkoi nga serbët e veriut që të çlirohen nga bandat kriminale dhe të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Komunitetet serbe në këto tri komuna duhet të çlirohen nga grupet kriminale që mbajnë peng të ardhmen e tyre. Ato duhet të dalin në zgjedhjet legjitime që organizojnë institucionet e Kosovës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë”, u shpreh Jahjaga.

Jahjaga i bëri këto komente gjatë një takimi me anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitetet, ku tha se ky është një moment i rëndësishëm për institucionet e vendit dhe është rezultat i një proçesi të hapur dhe transparent.

Nga ana tjetër pritet që takimi i parë i nivelit politik mes Kosovës dhe Serbisë  të ndodhë në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Burimet institucionale nuk e kanë mohuar një gjë të tillë, ndonëse ende nuk ka ftesë zyrtare për këtë çështje.

Por shtypi në Kosovë ka cituar zyrtarët europianë të kenë thënë se me ndërmjetesimin e baroneshës Catherine Ashton, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç do të takohen në Nju Jork.

Top Channel