Arrestohet autori i vrasjes së 24-vjeçares

14/09/2012 00:00

Pas identifikimit të 24-vjeçares Fatjona Sula, e cila u gjet e masakruar
nën një urë në zonën e Qafë Thanës, polica ka arrestuar edhe autorin e
vrasjes së saj.

Polica e Korçës ka prangosur 27-vjeçarin Çelnik Meleqi, nga Rajca e Librazhdit si autor i masakrimit me gurë të nënës së dy fëmijëve me origjinë nga fshati Ostren i Peshkopisë dhe banuese në Përrenjas.

27-vjeçari mësohet se e ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye xhelozie, pasi viktima dhe vrasësi mendohet të kenë pasur një lidhje intime.

24-vjeçarja Fatjona Sula u gjet e masakruar, teksa ishte goditur me gurë në kokë dhe në pjesën e fytyrës, poshtë një ure.

Policia ka gjetur pranë skenës së krimit edhe rrobat e viktimës, një palë kominoshe. Në trup ajo ka pasur 4 tatuazhe. Në krahun e majtë ka një tatuazh në formë ylli me dy inicialet D.O, në parakrah një tatuazh me shkronja kineze, dhe dy flutura në shpatullë dhe në ije.

Burime të policisë thanë se trupi i viktimës është gjetur nga një bari ndërkohë që nuk është i dekomopozuar. 3 raste të denoncuara të femrave të zhdukura në qarkun e Korcës janë verifikuar dhe nuk përputhen nga mosha, ndërsa këto përshkrime jepen për të mundësuar identifikimin e viktimës nga ata që mund ta kenë njohur.

Jeta e vështirë e viktimës

Fatjona Sula, 24-vjeçarja e cila u gjet e masakruar në Qafë-Thanë, prej më shumë se dy vjetësh punonte në një lokal të Përrenjasit. Ajo kishte tre vjet që ishte divorcuar nga bashkëshorti, Safet Fatja, i cili tashmë ka nisur një jetë të re në Kosovë. Gjatë martesës, Fatjona ka jetuar në Xhyrë të Librazhdit, ku pati dy fëmijë, një djalë 5 vjeç dhe një vajzë 3 vjeç. Shkaku i divorcit të çiftit, ka qenë xhelozia, pasi Fatja pretendonte se e ka kapur në flagrancë me një tjetër. Ish-bashkëshorti, nuk ka i ka takuar më fëmijët e tij, duke shkëputur çdo kontakt me vogëlushët e pafajshëm. Nuk ka pranuar që t’i takojë dhe nuk u ka dërguar asnjëherë para. Shumë shpejt, ai u martua në Kosovë, ku edhe jeton aktualisht. Madje nga ky kurorëzim ka një fëmijë tjetër. Ndërsa pas ndarjes, Fatjona nisi një jetë të re, duke u rikthyer te prindërit në Orenjë, Komunën më të thellë dhe të largët të Librazhdit.

Fëmijët te prindërit

Gjendja ekonomike e prindërve të saj, ishte mjaft e rënduar dhe babai i viktimës ishte shurdh-memec dhe i paaftë për punë. Për këtë anomali, ai merrte në komunë një pension invaliditeti, por nuk hynte në punë për asgjë, në një familje me gjashtë anëtarë. Me dy fëmijë për të ushqyer dhe pa asnjë të ardhur financiare, 24-vjeçarja migron drejt Përrenjasit, duke punuar si kameriere në një prej lokaleve të zonës. Por as kjo punë, nuk u siguronte të ardhura të mjaftueshme, për të mbajtur me bukë dy fëmijët, prindërit dhe motrën. Kështu që Sula nis të fitojë para, duke shitur trupin e saj. Madje aktivitetin ilegal të prostitucionit e kishte shtrirë deri në Maqedoni. Sipas të afërmeve të viktimës, ajo kishte marrëdhënie të mira me të gjithë familjarët. Në Orenjë shkonte shpesh për të takuar fëmijët, duke u dërguar edhe para për t’u ushqyer.

Dëshmitë e familjarëve

“Ne asnjëherë nuk e dinim se ku ndodhej Fatjona. Ajo nuk na linte asnjë adresë. Kur vinte për të na takuar, ishte shumë e qeshur, tip që bënte shumë shaka dhe e afërt me të gjithë. Për të fjetur rrinte te lokali që edhe punonte. Për ditë të tëra, ne nuk merrnim asnjë informacion prej saj dhe nuk na bënte përshtypje, zhdukja e gjurmëve të Fatjonës. Në Maqedoni kishte shumë kontakte dhe shkonte shpesh. Mbaj mend që para disa kohësh, ajo ka sjellë një maqedonas në Xhyrë, për të dërguar kunatin e saj, (burrin e motrës) në spital se është i paralizuar”, citon një i afërm i Fatjona Sulës. Familjarët lajmin e hidhur e kanë marrë vesh me anë të mediave dhe e kanë njohur vajzën e tyre në morgun e Korçës, në sajë të disa tatuazheve që kishte në trup, pasi fytyra ishte krejtësisht e masakruar. Burime jozyrtare bëjnë me dije se të tri motrat Sula, kanë pasur përplasje me disa meshkuj. Mësohet se ato i kanë denoncuar në polici për përdhunim. Kjo gjë nuk konfirmohet nga Policia e Elbasanit, duke thënë se me çështjen po merret ajo e Korçës dhe ne nuk kemi pse të japim informacione të tilla.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB