“Drita në fund të tunelit është duke u zmadhuar”. Në këtë mënyrë ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, u ka dhënë shpresa qytetarëve të Kosovës se liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.

Por për këtë ai nuk përmendi ndonjë datë a vit, përveç se kujtoi që kjo varet institucionet e Kosovës.

“Udhëtimi pa viza po afrohet. Nëse qeveria, Parlamenti dhe komunat punojnë ashtu siç kanë punuar deri tani, unë besoj që kjo do të ndodhë shumë shpejt. Për momentin neve na duhet dhe të kemi durim, por drita në fund të tunelit është duke u zmadhuar, është duke u afruar”, deklaroi Reichel.

Ambasadori Reichel e bëri këtë deklaratë në tryezën e mbajtur në Prishtinë të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar për “liberalizimin e vizave”.

Sipas të pranishmëve, në dallim nga vendet e tjera të rajonit, që kanë pasur 40 – 45 kritere, Kosova ka 95 të tilla. Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku tha se po bëhet çmos që kriteret të përmbushën sa më parë dhe kujtoi se disa nga kriteret janë më të rëndësishmet.

“Pavarësisht lirisë së lëvizjes, i cili do të jetë rezultati final i këtij proçesi, përmbushja e kritereve do ta bëjë Kosovën vend më të mirë. Një ndër kriteret kryesore në Udhërrëfyes është sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Krimin dhe korrupsionin ne duhet ta luftojmë pavarësisht liberalizimit të vizave”, theksoi Çitaku.

Ndërsa Jean François Fitou, ambassador i Francës në Kosovë, tha se për Kosovën, Bashkimi Europian nuk ka ndonjë plan B, sepse ajo është “plan kryesor”.

“Ju jeni në Europë. Ky është një proçes. Një proçes i pafund, si demokracia. Nuk është thjeshtë se një ditë çdo gjë tjetër do të jetë e bukur, çdo gjë do të jetë parajsë. Nëse dëshironi ta bëni jetën më të mirë duhet të filloni sot, por nuk duhet të ndaleni kurrë. Nuk ka “plan B”, ju jeni pjesë e “planit kryesor” dhe jeni të mirëseardhur”, u shpreh Fitou.

Kosova mbetet shteti i vetëm që rrethohet nga shtetet e tjera të Ballkanit, qytetarët e të cilëve udhëtojnë pa viza nëpër Europë.

Top Channel