
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë ndodhen me një pozitë shumë të rëndë për shkak të politikave diskriminuese të pushtetit.
Për t’u përmirësuar kjo gjendje nevojitet një politikë e fortë shqiptare që do t’i rezistojë kësaj qeverie, tha Thaçi gjatë promovimit të kandidatit të partisë të tij për kryetar në qytetin e Gostivarit.
“Realisht jemi në një gjendje shumë të vështirë. Duhet kuptuar se përveç shkeljeve të të gjitha të drejtave që na i bëjnë maqedonasit, ata na kanë dëmtuar shumë edhe në aspektin ekonomik dhe populli jonë është në një gjendje shumë të mjerueshme. Ndaj duhet të bashkohen të gjithë dhe t’i bindim se pa një politikë të fortë, të gjitha janë të kota. Mirë është që të gjithë, për një fakt parësor dhe thelbësor, jemi bindur se kjo parti është shumë e fortë dhe ata që tentojnë ta shkatërrojnë e kanë shumë gabim”, ka deklaruar Thaçi.
Ndërkohë, në Kuvend kritika në drejtim të qeverisë ka lëshuar edhe opozita maqedonase, duke e quajtur atë qeveri tenderësh. Sa i përket krizës mes BDI-së dhe VMRO/DPMNE-së, opozita vlerëson se e njëjta është e kurdisur nga partnerët e koalicionit.
“Trajleri në Kuvendin e Maqedonisë dje përfundoi me dramë dashurie mes VMRO/DPMNE-së dhe BDI-së. Kur nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë qytetarëve, të dy partitë luajnë në kartën e nacionalizmit. Edhe përkundër ‘krizës’, BDI dhe VMRO, të gjithë tenderët i ndajë në mënyrë vëllazërore. VMRO është e gatshme të bëjë gjithçka për të ruajtur kolltukët e pushtetit, ndërsa për BDI-në aktualisht shumë më i rëndësishëm është ‘tenderbegu’ se Skënderbegu”, ka thënë Goran Misovski, deputet i PRSD-së.
Pas vendimit të deputetëve të BDI-së për t’u kthyer në seancat kuvendore, partnerët qeveritarë kanë ulur tonet edhe pse publikisht nga dy partitë në pushtet thonë se mbeten në qëndrimet e vjetra sa i përket projektligjit problematik që garanton të drejta të veçanta për forcat maqedonase të sigurisë.
Top Channel