Pezullimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes deri në një afat të pacaktuar për shkak të tre rasteve të sportistëve tanë të dopuar gjatë këtij viti nuk është pritur mirë nga sportistët e tjerë.
Nënkampionia e Europës, Romela Begaj deklaron se ndëshkimi duhet të jetë individual, ashtu siç dhe është suksesi në këtë sport.
“Kjo është një gjë shumë e rëndë, jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët pasi prishet imazhi i sportit kryesor në vend. Unë si Romela dhe sportistët e tjerë mbahemi me këtë sport, ushqejmë familjet me të dhe nuk kemi asnjë profesion tjetër. Për mua ky është profesioni i vetëm dhe nuk është faji im për gjendjen ku ndodhemi. Në një sport individual, edhe përgjegjësia duhet të jetë e tillë. Nuk ka përse të ndëshkohet një kolektiv i tërë për fajin e një sportisti të vetëm”, u shpreh Begaj.
Të premten pritet që të jetë vendimi për pjesmarrjen ose jo të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që pas dy vitesh, Shqipëria do të jetë organizatorja e Kampionatit Europian të Peshëngritjes.
Romela kërkon nga institucionet kompetente që dhe në rast pezullimi, asaj të mos i ndërpritet trajtimi sportiv. Në rast të kundërt kërcënon me largim në një kombëtare tjetër. “Unë si sportiste i bëj thirrje shtetit, kryeministrit dhe zotit Basha si sportiste e Tiranës, që të mos më hedhin në rrugë sepse unë me këtë mbahem. Le të ndëshkohen përgjegjësit, jo të gjithë. Nëse kjo nuk do të ndodhë, me keqardhjen më të madhe e them se do të konkurroj për një flamur tjetër dhe më vjen shumë keq për këtë”, përfundoi flamurmbajtësja shqiptare në Lojrat Olimpike të Londër 2012-s.
Top Channel