Masakra në Alpe, flet dëshmitari

13/09/2012 00:00

Personi që gjeti familjen britanike të vrarë në Alpet franceze kishte frikë se ndonjë person i armatosur mund të ishte ende pranë vendit të ngjarjes për të qëlluar edhe atë.

Brett Martin, një ish-pilot i forcave ajrore britanike, ndihmoi vajzën 7-vjeçare Zainab al Hilli pas sulmit që i mori jetën prindërve të saj, gjyshes dhe një çiklisti që kalonte aty pranë.

Martin tha për BBC se e pati shumë të vështirë të linte vajzën e plagosur në tokë për të vajtur për të kërkuar ndihmë.

Ai tha se fillimisht kujtoi se kishte ndodhur një aksident rrugor pasi kishte kaluar skenën e krimit me biçikletë. “Por nuk ishte kështu, skena që pash ishte e denjë për një film të Hollivudit”, tregoi Martin.

Ndërkohë, prokurori francez që po merret me çështjen ka deklaruar se motivet e masakrës e kanë origjinën në Mbretërinë e Bashkuar.

Eric Maillaud ka folur jashtë stacionit të policisë në Surrej, pasi mbërriti atje me gjyqtarin francez që po drejton hetimet.

Policia franceze dhe ajo britanike po vazhdojnë kërkimet në Klejgejt, në Surrej, ku ndodhet dhe shtëpia e Saad al Hilli, që u vra bashkë me gruan e tij dentiste dhe vjehrrën, në afërsi të liqenit Anesi.

Ndërsa Zainab dhe motra e saj 4-vjeçare Zeena arritën t’i mbijetonin sulmit të armatosur, të ndodhur më 5 shtator teksa familja kalonte pushimet në resortin turistik.

Fillimisht autoritetet dyshuan se vrasja mund të ishte kryer nga vëllai i Al Hillit, pasi ai i detyrohej atij një sërë borxhesh. Por vetë vëllai i viktimës u paraqit në polici për të hedhur poshtë hipotezën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB