Në një seancë parlamentare, ku kryeministri e ministrat kryesisht mungonin, deputetetve të Kuvendit të kosovës nuk u mbeti gjë tjetër përveç se të akuzonin njëri-tjetrin për çështje të ndryshme.

Seanca e së entjes nisi me akuzat që deputeti i PDK-së, Berat Buzhala i bëri Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me arrestimin e anëtarit të saj një ditë më parë. Duke folur në emër të qytetarëve, deputeti i PDK-së kritikoi LDK-në se nuk ka reaguar ndaj kësaj çështjeje.

“Krejt shkurt dua të flas rreth arrestimit të kryetarit të Kuvendit të komunës së Prishtinës, Sami Hamitit dhe mungesës së reagimit nga LDK. Banorët janë të shqetësuar për lejet që kanë marrë për banesat e tyre, për lejet që janë dhënë, apo nëse kjo çështje ka lidhje me krimin e organizuar”, deklaroi Buzhala.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Ky i fundit kërkoi nga PDK-ja të flasë fillimisht për numrin e kryetarëve të komunave në Kosovë, të cilët janë nën hetim.

“Ne e kemi thënë, ne jemi që në këtë vend të sundojë ligji. Zoti Hamiti është kryesues i Kuvendit të komunës, ai është marrë në pyetje dhe ne jemi të bindur se do të lirohet së shpejti. Sinqerisht po them se nuk duhet të keqpërdoret kjo foltore. Zotëria të tregojë sa krerë komunash janë duke u hetuar”, reagoi Beqiri.

Shqetësimet e deputetëve të PDK-së nuk mbaruan me kaq. Bekim Haxhiu akuzoi anëtarët e Institutit të Historisë së Kosovës se fëmijëve  nuk po u mësohet për komandantin legjendar Adem Jashari, për heronjtë Zahir Pajazit, Luan e Shkëlzen Haradinaj, për Fehmi e Xhevë Lladrovcin, etj.

Deputetët kanë ngritur edhe çështje të tjera problematike si ngritja e çmimit të derivateve të naftës, energjisë etj. Por kur erdhi koha e pytjeve parlamentare, ato dështuan në mungesë të kabinetit qeveritar në Kuvend.

Top Channel