
Një prej politikanëve më radikalë të Serbisë, Vojisllav Koshtunica,
duket se ka hequr dorë nga deklaratat ekstremiste kundër pavarësisë së
Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Veçernje Notosti”, ish-kryeministri i Serbisë ka thënë se herët a vonë njohja e Kosovës do të jetë e pashmangshme.
Sipas tij, aktualisht Bashkimi Evropian nuk po e parashtron si kusht njohjen e Kosovës, por në fund të negociatave të anëtarësimit, kërkesa në fjalë do të bëhet realitet.
“BE në këto momente nuk po kërkon haptazi që Serbia të njohë Kosovën, por është e qartë se në fund të proçesit të negociatave njohja e saj do të jetë e pashmangshme”, ka thënë Koshtunica.
Megjithatë, kryetari i PSD-së ka vlerësuar orientimin e ri të Beogradit, se përveç BE-së ka alternativa të tjera, duke iu referuar këtu raporteve të reja me Rusinë.
Pak ditë më parë ishte presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz që deklaroi se Serbia duhet të njohë Kosovën nëse dëshiron të anëtarësohet në BE.
Duke sqaruar për mediat serbe deklaratën e tij, Schulz ka thënë se e ka bërë atë duke u bazuar tek realiteti dhe pragmatizmi.
“Ajo që kam thënë unë për shumëkënd është e qartë. Ne të ardhmen pres të shoh si Serbinë edhe Kosovën në BE, por në fund të këtij proçesi duhet të gjendet një mënyrë për njohje të ndërsjelltë”, ka thënë Schulz.
Top Channel