
Në kohën kur përflitet për përplasje mes administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galliani dhe trajnerit Allegri, lajmi i parë që qarkullon në mediat sportive është se kush do të drejtojë Milanit pas teknikut aktual.
Një ndër emrat e hipotezuar nga mediat italiane është Ruud Gullit. Legjenda holandeze e futbollit ka fituar dy herë Ligën e Kampioneve me fanelën kuqezi. I ndodhur në Milano, ai mohoi zërat se do të jetë trajner i Milanit, të paktën jo në një kohë të afërt.
“Mendoj që për momentin Milani është në duar të sigurta. Por nëse më thërret, për mua do të ishte një nder”, thotë Gullit.
Sa i përket gjendjes së kuqezinjeve dhe situatës aktuale të futbollit italian, jo në ditët e tij më të mira, holandezi deklaroi se duhet ende shumë punë dhe se në Ligën e Kampioneve sheh favoritë kryesorë skuadrat angleze dhe ato spanjolle.
“Anglezët kanë dicka më shumë se skuadrat e tjera dhe Reali i Madridit është favorit kryesor. Për mua, nga italianet Juventusi bën një lojë të bukur dhe është një shembull i mirë se si duhet të rindërtohet futbolli italian. Mendoj që në Itali nevojiten stadiume të reja”, tha ai.
Top Channel