Dy sindikata greke kanë organizuar një grevë të përgjithshme për në 26 shtator, për të protestuar kundër shkurtimeve të reja të parashikuara nga qeveria.

“Konfederata e përgjithshme e sektorit privat dhe ajo e atij publik bëjnë thirrje për një grevë të përgjithshme 24-orëshe”, ka deklaruar një zëdhënës i sindikatës së parë.

GSSE, sindikata për sektorin privat, dhe GSEE, ajo për sektorin publik, janë më të mëdhatë në vendin helen, që kanë organizuar dhe protestat e mëparshme kundër masave anti-krizë.

Për të siguruar ndihmën e radhës prej 31.5 miliardë eurosh, pa të cilën ekonomia greke rrezikon të mbetet pa likuiditet financiar, kryeministri Andonis Samaras njoftoi shkurtime të mëtejshme.

Samaras deklaroi se Athina do të plotësojë kërkesat e Trojkës për të siguruar këstin në fjalë dhe për të qëndruar në zonën euro, dalja nga e cila sipas tij do të ishte fatale për vendin.

“E vërteta është se Greqia ka arritur shumë pranë daljes nga euro, por kjo është një hipotezë që do të sillte vdekjen e vendit dhe që përbën një kërcënim që duhet ta shmangim”, deklaroi Samaras.

“Duhet ta shmangin këtë kërcënim, të rekuperojmë kredibilitetin dhe të mbajmë vendin në zonën euro. Për këtë po luftojmë”, tha ai disa ditë më parë.

Top Channel