Ambasadori amerikan në Libi dhe tre zyrtarë të ambasadës u vranë të
mërkurën në një sulm me raketë ndaj konsullatës amerikane në Bengazi, bëjnë të ditur zyrtarë
vendas.
Vdekja e ambasadorit Christopher Stevens, u raportua nga Reuters, pas konfirmimit zyrtar nga Libia.
“Ambasadori amerikan dhe tre anëtarë të stafit mbetën të vrarë pas një sulmi me raketë. Ata po udhëtonin drejt Bengazit, pasi protestuesit sulmuan konsullatën amerikane në këtë zonë, për shkak të filmit amerikan, që ata e konsiderojnë si blasfemi ndaj Profetit Muhamed”, thanë burimet.
Obama: Do të bëhet drejtësi
Presidenti amerikan Barak Barak konfirmoi vdekjen e diplomatit dhe dënoi ashpër sulmin në Bengazi që shkaktoi vdekjen edhe të katër punonjësve të tjerë të konsullatës.
“Do të bëhet drejtësi. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me autoritetet libiane për të identifikuar dhe për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit”, deklaroi Obama.
“SHBA dënojnë me termat më të ashpër sulmet në Libi, por paralajmërojnë se asnjë sulm nuk do të trondisë vendosmërinë e Amerikës”, shtoi presidenti.
Kufomat e viktimave janë transferuar në aeroportin ndërkombëtar të Bengazit. Prej aty do të transportohen në Tripoli dhe më pas në bazën amerikane të Gjermanisë.
Protestat kundër filmit blasfem
Në Bengazi, duke nisur nga e marta, pati protesta të dhunshme kundër një filmi të konsideruar ofendues ndaj
profetit Muhamed.
Persona te armatosur sulmuan ndërtesën diplomatike me granata përpara se t’i vinin zjarrin. Forcat e sigurisë iu përgjigjen zjarrit, por ato ishin të pakta në numër përballë turmës së egërsuar të njerëzve. Skena të ngjashme pati edhe përpara ambasades amerikane në kryeqytetin egjiptjan, Kajro.
“Dikush është përpjekur ta justifikojë këtë sjellje të mbrapshtë si kundërpërgjigje ndaj materialeve nxitëse të postuara në internet. Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje të qëllimshme për të denigruar besimin e të tjerëve. Por lermëni të jem e qartë, asnjëherë nuk ka justifikim për akte të tilla dhune”, reagoi sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.
Dyshimet për një grup paraushtarak
Disa raporte tregojnë se pas sulmit qëndron një grup paraushtarak i njohur si brigada Ansar al-Sharia, por anëtarët e tij i mohojnë këto pretendime. Në Libi shumë njerëz janë ende të armatosur pas konfliktit të vitit të kaluar, që çoi në përmbysjen e kolonel Gaddafit.
Filmi që nxiti protestat thuhet të jetë prodhuar nga një qytetar amerikan, Sam Bacile, 52 vjeç nga Kalifornia, e është promovuar nga një kopt egjiptjan që jeton jashtë kufijve. Të dy burrat kanë pikëpamje të forta anti-islamike.
Mendohet se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Protestat përkuan me 11-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Top Channel