Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e parë të kabinetit të tij pas mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, ka deklaruar se vendin e presin shumë sfida.

Ai ka thënë se, përfundimi i mbikëqyrjes është një ëndërr historike për kosovarët, që e çon vendin drejt NATO-s dhe BE-së dhe është shprehur optimist se këto sfida do të kalohen.

“Tani duhet të vazhdojmë të punojmë për çështjet që lidhen drejtpërdrejt me perspektivën evropiane, zhvillimin ekonomik, rritjen e vendeve të reja të punës dhe vazhdimin e qeverisjes së mirë. Jam i vetëdijshëm se e ardhmja do të jetë përlot sfida, por kam besim se me sukses ato do të tejkalohen”, ka thënë Thaçi.

Kreu i qeverisë ka pranuar se sfida kryesore mbetet shtrirja e rendit dhe ligjit në veri, por lidhur me këtë ai ka kujtuar se kabineti i tij ka një plan integrues.

Plani në fjalë, për të cilin kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka thënë se nuk është në dijeni, do të paraqitet në Parlament, sipas zv.kryeministrit Hajredin Kuçi, sapo të jetë gati.

“Kur të marrë fomë ideja, kur të shihet se këto ide po mbështeten nga ndërkombëtarët, atëherë do të shkojë në Kuvend. Nuk ka vendim që do të hyjë në fuqi pa u miratuar më parë nga Kuvendi”, ka thënë Kuçi.

I pyetur se kur do të fillojë dialogu me Serbinë, Kuçi ka thënë se më parë duhet të shihen rezultate në praktikë nga implementimi i marrëveshjeve të arritura nga dialogu i zhvilluar deri më tani.

Ndërsa lidhur me mundësinë e një koalicioni të ri me AAK-në, ai ka shtuar se, koalicioni aktual me AKR-në, për momentin po funksionon më së miri.

Top Channel