Kryetari i komisionit për marrëdhëniet me jashtë në Bundestag, Ruprecht Polenz ka deklaruar se gjatë negociatave të anëtarësimit në BE, Serbisë do t’i duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Në një moment të caktuar, gjatë negociatave të anëtarësimit, Serbia duhet të pranojë dhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo është e rëndësishme të ndodhë para anëtarësimit në BE”, ka deklaruar Polenz.

Në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Beta”, ku është pyetur posaçërisht mbi kushtet që ka Serbia në rrugën evropiane, anëtari i Bundestagut ka nënvizuar se, BE-ja nuk do që të përjetojë një “Qipro të dytë” në radhët e saj.

Ndër të tjera, zyrtari gjerman ka theksuar se është e një rëndësie të veçantë që Beogradi të shpërbëjë strukturat paralele të tij që veprojnë në veri të Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme mënyra se si Serbia sillet ndaj serbëve në Kosovë. Ne duam të shohim shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe zvogëlimin e mbështetjes financiare”, ka thënë Polenz.

Ai është shprehur i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një proçes gradual, por ka shtuar se tashmë është e rëndësishme që përveç fjalëve dhe premtimeve boshe të dalin në pah veprat.

“Gjithashtu ne kërkojmë nga Serbia që t’i përmbahet planit të veprimit të dakorduar me Bashkimin Evropian, sidomos kur bëhet fjalë për reformat e sistemit gjyqësor”, ka shtuar Polenz.

Top Channel