
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, lëshoi një thirrje për shndërrimin e Bashkimit Europian në një Federatë shtetesh e ngjashme me SHBA-ne.
Duke folur në foltoren e Parlamentit Europian në Strasburg, ditën e mërkurës, Barroso argumentoi se një lëvizje e tillë është bërë e nevojshme për të luftuar krizën ekonomike të shtetit.
Njëkohësisht, kreu i KE-së shprehu besimin e tij të plotë për qëndrimin e Greqisë brenda Eurozonës, nëse Athina zyrtare do të përmbushë detyrimet e saj.
Barroso parashtroi gjithashtu planet për një mekanizëm të vetëm mbikqyrje për të gjitha bankat në vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro.
Në bazë të planit, Banka Qendrore Europiane do të fitojë fuqi më të mëdha dhe mund të imponojë një rregullore më të ashpër ndaj 6 mijë bankave që operojnë brenda Eurozonës.
”Përsa i përket Greqisë, kriza që po përjeton ky vend përbën një moment kthese edhe për vetë BE-në. Nëse vendi do të heqë të gjithë dyshimet dhe do t’i përkushtohet reformave thelbësore, së bashku me mbështetjen e shteteve të tjera anëtare, atëherë Greqia mund t’ia dalë dhe të mbetet brenda familjes”, u shpreh Barroso.
Megjithatë, në lidhje me fondin e përbashkët të shpërtimit, kreu i KE-së theksoi se paratë e Bankës Qendrore Europiane nuk duhet të përdoren për financimin e borxheve kombëtare.
Top Channel