Fshatrat e Komunës Kutalli në Berat kanë si aktivitet kryesor rritjen e perimeve në serrat e tyre. Janë mbi 500 hektarë me serra në këtë zonë që japin prodhime disa herë në vit.

Rendimenti i prodhimit është i lartë rreth 100 kunitalë për nje dynym dhe i gjithë ky prodhim tregtohej në Lushnje kryesisht për eksport.

Sipërfaqja e serrave është rritur edhe për shkak të rikthimit nga emigracioni të një pjese të banorëve. Ata thonë se kanë ndërtuar serra të reja.

“Kam një vit që kam ardhur nga Greqia. Kam filluar me biznesin tim këtu, kemi bërë 2 dynim serra, jemi kthyer sepse s’kishim më punë në Greqi. Këtu jemi ndihmuar nga fakti që janë bërë tregjet nëpër fshat brënda dhe nuk kemi më nevojë të shkojmë në Lushnje”, thotë një i kthyer nga emigracioni.

Kjo komunë përbëhet nga fshatrat Goriçan, Samaticë, Dronovicë dhe tregu i vetëm për prodhimet bujqësore ishte Lushnja, ku këto prodhime iknin kryesisht për eksport.

Ndërtimi i një aksi të ri nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndryshoi tregun e shitjes. Së fundmi në këto fshatra të Kutallisë janë improvizuar tregje ku tregtarët dhe eksportuesit tërheqin prodhimet duke ju hequr kështu fermerëve kostot e transportit.

“Për transportin e mallit në Lushnje paguanim rreth 40 mijë lekë të vjetra, tani me mbarimin e rrugës nuk është më nevoja sepse tregtarët vijnë i marrin këtu”, thonë fermerët e Kutallisë.

Fermerët e Kutallisë janë në pritje të prodhimit të ri që duket i bollshëm, por ata kërkojnë mbështetje për shkak se u duhet të paguajnë cmimet e karburanteve shumë të larta, shumë pranë 200 lekë për litër, për të punuar dhe vaditur serrat dhe tokat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB