
Liderët ndërkombëtarë nga e gjithë bota i kanë shprehur ngushëllimet e tyre Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Barack Obama për humbjen e ambasadorit amerikan në Bengazi, Christopher Stevens, një bashkëpunëtori të tij dhe dy marinsave.
I pari që ka reaguar ndaj ngjarjes së rëndë ka qenë vetë presidenti Obama që ka premtuar ndëshkimin e përgjegjësve, ndërkohë që mesazhet nuk kanë munguar edhe nga faktori shqiptar.
Barack Obama, president i SHBA: “Do të bëhet drejtësi. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me autoritetet libiane për të identifikuar dhe për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit”.
Mitt Romney kritikon administratën Obama: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të kërkojnë kurrë falje për mbrojtjen e vlerave të tyre”.
Mohammed Magarief, president i Asamblesë Kombëtare të Libisë: “U kërkojmë falje Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për atë që ndodhi dhe në të njëjtën kohë shpresojmë që pjesa tjetër e botës të na ndihmojë për t’u përballur me këto akte frikacake kriminale”.
Anders Fogh Rasmussen, sekretar i përgjithshëm i NATO-s: “Dënoj ashpër këtë sulm. Një dhunë e tillë nuk mund të justifikohet. Mirëprës deklaratat e presidentit libian dhe apelin e tij për bashkëpunim”.
Catherine Ashton, shefe e Politikës së Jashtme të BE: “Bashkimi Evropian dënon me forcë këtë akt të shëmtuar dhe u bën thirrje autoriteteve libiane që të marrin masa për të mbrojtur jetën e diplomatëve dhe funksionarëve të huaj”, ka deklaruar”.
William Hague, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe: “Britania dënon këtë sulm brutal dhe çnjerëzor. U bëjmë ngushëllimet tona qytetarëve dhe qeverisë amerikane. Këta diplomatë po punonin për paqen dhe stabilitetin në Libi”.
François Hollande, president i Francës: “Franca kërkon që autoritetet libiane të hedhin sa më parë dritë mbi këto krime të papranueshme, të identifikojnë fajtorët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë”.
Mario Monti, kryeministër i Italisë: “Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt që për momentin nuk jemi në gjendje t’ua atribuojmë dikujt. Do të qëndrojmë përkrah autoriteteve të Libisë së re demokratike, që të mos heqin dorë nga përpjekjet demokratike dhe të mos lejojnë që rruga e re ku ka hyrë vendi të merret peng”.
Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane: “Qeveria federale dënon me termat më të ashpër sulmin. Këto akte dhune ndaj selive diplomatike nuk mund të jenë kurrë qëllime të debateve politike”.
Ministria e Jashtme ruse: “Ne dënojmë ashpër çdo sulm ndaj selive diplomatike të huaja dhe stafeve të tyre, duke i cilësuar si sulme terroriste që s’kanë justifikim”.
Bujar Nishani, president i Shqipërisë: “Më lejoni që për këtë ngjarje tragjike që tronditi gjithë popullin mik amerikan dhe mbarë botën demokratike, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh Juve dhe të afërmve të viktimave, ngushëllimet më të sinqerta! Duke shprehur indinjatën time më të thellë për këtë ngjarje shumë të shëmtuar, shpresoj që pasojat e kësaj tragjedie njerëzore dhe ndërkombëtare të kalohen sa më lehtë”.
Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë: “Qeveria shqiptare dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar e barbar ndaj Ambasadorit Stevens dhe tre punonjësve të Ambasadës Amerikane dhe ju shpreh Ju, familjeve të viktimave, qeverisë dhe kombit tuaj, ngushëllimet më të sinqerta, ndjenjat më të thella të simpatisë e solidaritetit, për këtë humbje të rëndë, si dhe mbështetjen më të plotë në luftën kundër terrorizmit në botë”.
Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës: “Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të vendit dhe në emrin tim personal, ju lutem të pranoni ngushëllimet tona me rastin e humbjes së ambasadorit tuaj në Libi, z. Chris Stevens, dhe tre zyrtarëve të tjerë në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bengazi”.
Top Channel