Policia boshnjake ka nisur një aksion për të arrestuar dhjetëra persona që merreshin me krimi të organizuar, ndër ta edhe një shqiptar.

Aksioni, i koduar me emrin “Llutka” apo “Kukulla”, ka rezultuar me prangosjen e të paktën 20 personave, të cilët janë arrestuar në bazë të kërkesës së prokurorisë.

Aksioni është kryer në tërë territorin e Bosnjës. Mediat boshnjake dhe ato të Malit të Zi kanë raportuar se qëllimi kryesor ka qenë arrestimi i Naser Kelmendit.

Me origjinë nga Peja, në Kosovë, Kelmendi për mediat është i njohur si biznesmen kontrovers dhe i cilësuar shpesh edhe si një nga narkobosët më të mëdhenj.

Ai është bërë më i famshëm pasi sipas mediave është vënë në listën e zezë të personave që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një listë e hartuar nga vetë presidenti Barack Obama.

Një nga lokacionet e kontrolluara nga policia ka qenë Casa Grande, në pronësi të Naser Kelmendit. Policia ka deklaruar se ai megjithatë është larguar për në Mal të Zi.

Atje Kelmendi njihet edhe si mik i ish-kryeministrit Milo Gjukanoviç, partia e të cilit është në pushtet. Megjithatë, sipas gazetës malazeze “Vjesti”, policia e ka mohuar një gjë të tillë.

Top Channel