
Rreth një orë ka zgjatur takimi i kryeministrit grek Andonis Samaras me përfaqësuesit e FMN, BQE dhe BE, për të arritur një marrëveshje në aprovimin e planit të ri të shkurtimeve, me vlerë 12 miliardë euro.
Por ekspertët e trojkës kanë shprehur kundërshtimin dhe dyshimin e tyre për disa prej reformave me vlerë 2 deri në 3 miliardë, duke i quajtur të paqarta dhe duke kërkuar masa më konkrete, sidomos përsa i përket pushimeve nga puna në sektorin publik dhe reduktimin e mëtejshëm të rrogave dhe të pensioneve.
“Ne dorëzuam propozimin tonë për masa 11.5 miliardë euro dhe ka një diskutim në zhvillim dhe një vlerësim të tyre. Negociatat janë të vështira, por të vështira janë edhe masat. Siç e shihni, ne po përpiqemi”, deklaroi ministri i Financave, Yannis Sturnaras.
Burime të Ministrisë së Financave kanë deklaruar se megjithë klimën e krijuar pas takimit, Athina duhet të paraqesë patjetër një plan të përfunduar të masave në samitin e radhës të Eurogrupit në Lefkosi, të premten që vjen, në mënyrë që të aprovohet kësti i ardhshëm prej 31.5 miliardë eurosh, që do të shmangë falimentimin.
Kërkesat e reja të trojkës duket se kanë tronditur përsëri koalicionin e brishtë trepartiak, me socialistët dhe të Majtën Demokratike që kundërshtojnë shkurtimet e mëtejshme të rrogave dhe pensioneve dhe pushimet e më se 35.000 personave nga aparati administrativ për këtë vit.
Takimi i ri i trojkës me ministrin e Financave do të kryhet të mërkurën, ndërkohë që kryeministri Samaras takon të martën në Frankfurt kreun e BQE-së, Mario Draghi.
Blerja e bonove të vendeve me probleme nga ana e kësaj banke do të japë frymëmarrje për Greqinë që përballon reçesionin për të pestin vit rrjesht, ndërsa një ndër katër vetë është tashmë i papunë.
Përgjatë gjithë javës në vijim vendi do të përfshihet nga një valë grevash, kryesisht në sektorin shtetëror që është edhe më i prekuri nga masat e dhimbshme të reformave, që kërkojnë përfaqësuesit e kreditorëve të Greqisë.
Top Channel