Ndryshimet Kushtetuese, mblidhet Këshilli Legjislacionit

11/09/2012 00:00

Këshilli i Legjislacionit, i mbledhur për të diskutuar rreth nismës së Partisë Socialiste për disa ndryshime kushtetuese ka thyer cdo rekord kohëzgjatjeje për një cështje që në parim konsiderohet e rëndësishme.

Kur të gjithë prisnin një diskutim qoftë edhe formal nga të dyja palët rreth propozimeve të Partisë Socialiste, mazhoranca dhe opozita në këtë Këshill u mjaftuan vetëm me 2 minuta e 40 sekonda mbledhje.

Ato u dëshen vetëm që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli të njoftonte se palët kishin rënë dakord për caktimin  e 2 relatorëve. Për demokratët është Paulina Hoti, ndërsa për socialistët është relator Pandeli Majko.

Gjithashtu, është rënë dakord që të premten të zhvillohet seanca dëgjimore me konstitucionalistë të njohur dhe përfaqësues të institucioneve kushtetuese, që preken nga propozimet e Partisë Socialiste.

Opozita ka propozuar mes të tjerash, emërimin me 3/5 të Prokurorit të Përgjithshëm, të kryetarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe të gjithë anëtarëve të këtyre gjykatave, duke argumentuar se kështu sistemi i drjetësisë fiton një pavarësi më të madhe nga politika.

Partia Demokratike i ka cilësuar më herët si propozime që synojnë vendosjen e “Kushtetutës së pakicës” dhe ka deklaruar votën kundër.

Nga shpejtësia me të cilën do të diskutohet paketa e opozitës varet edhe miratimi në Parlament i projektligjit konsensual për kufizimin e imunitetit, pasi Partia Socialiste ka deklaruar se do ta votojë këtë projektligj menjëherë pasi të ketë përfunduar diskutimi publik i propozimeve të saj.

Ky qendrim ishte arsyeja përse kryeministri Berisha kërkoi afrimin e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit, në mënyrë që kufizimi i imuniteteve dhe ligji për Gjykatën e Lartë, dy nga 12 prioritetet për marrjen e statusit, të miratohen brenda shtatorit.

Top Channel