Votim etnik në Parlamentin e Maqedonisë. Deputetët shqiptarë u mbivotuan nga kolegët maqedonas.

Projektligji për forcat maqedonase të sigurisë ka hyrë të hënën në seancë plenare, pasi deputetët e partive maqedonase kanë bashkuar votat kundër kërkesës së Partisë Demokratike Shqiptare që projektligji të tërhiqet nga rendi i ditës.

Në fillim të mbledhjes kuvendore deputetët e BDI thanë se beteja parlamentare për të bllokuar ligjin do të vazhdojë dhe njëkohësisht prezantuan arsyet pse do të votojnë kundër ligjit.

“Kjo është një betejë e Parlamentit dhe parlamentarëve, prandaj edhe nëse thuhet se qeveria dhe institucionet funksionojnë, ne themi se jemi këtu për të bërë betejën parlamentare. Ne do të votojmë kundër këtij ligji sepse ky ligj po rrëzon konsensusin si postulat themelor, dhe po rrezikon të vendosë përsëri arbitraritetin në vendimmarrjen politike. Ky ligj kërcënon institutin e vetos të instaluar me Marrëveshjen e Ohrit, ose parimin e Badenterit dhe rrezikon të rikthejë majorizimin apo mbi votimin”, deklaroi deputetja Ermira Mehmeti.

Por, qëndrimi i BDI-së është kritikuar nga PDSH-ja opozitare, pasi kjo parti vlerëson se e vetmja mënyrë për ta bllokuar projektligjin e VMRO-DPMNE-së është që BDI të braktisë koalicionin qeveritar me Gruevskin.

“PDSH ua dha përkrahjen me qëllim për të parandaluar këtë ligj. Mirëpo si duket ju nuk doni ta kuptoni se çfarë nënkuptojmë ne me parandalim. Parandalim nënkupton bllokim të miratimit të këtij ligji, nënkutpon që të realizohet paralajmërimi i BDI-së që ta braktisë qeverinë me qëllim që ky ligj të mos miratohet. Në këtë formë dhe në këtë mënyrë, siç është qasja e sotme e grupit parlamentar të BDI-së, ne mund të konstatojmë se ajo është dorëzuar”, deklaroi deputeti Imer Aliu.

Pas miratimit të rendit të ditës për seancën kuvendore, ku është futur edhe projekt/ligji për forcat maqedonase të sigurisë, deputetët e BDI kanë bllokuar dy ligje të qeverisë në sferën e kulturës, duke votuar kundër tyre.

Për projektligjin e VMRO-DPMNE-së në seancë plenare do të diskutohet pasi ai të shqyrohet nga komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale.

Top Channel