
Gazeta austriake “Kurier” në numrin e sotëm të saj i ka kushtuar një
artikull mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, duke vënë në
dukje se në shtetin e ri ka ende probleme.
“Kosova përfundoi mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë dhe është plotësisht e pavarur, por megjithatë problemet e vjetra vazhdojnë të jenë të pranishme në këtë vend. Për më tepër, në Kosovë do vazhdojnë të qëndrojnë ushtarët e NATO-s”, thotë artikulli.
E përditshmja vjeneze citon ushtarakun e lartë austriak Johann Luif, që deri më 7 shtator ka qenë numri dy i misionit të KFOR-it, i cili thotë se trupat ndërkombëtare do të qëndrojnë edhe për të paktën 5 vjet.
“Sfida kryesore e vendit është papunësia dhe kufijtë e diskutueshëm në veri. Në trazirat e muajve të kaluar mbetën të plagosur mbi 100 ushtarë të KFOR-it”, deklaron Luif.
Gazeta saktëson më tej se në Kosovë do të mbeten rreth 360 ushtarë austriakë, numër ky që do të shkojë në 500 në tetor, kur të mbërrijë një batalion shtesë.
Bashkë me trupa gjermane, të cilat do të jenë profesioniste, batalioni në fjalë do të vendoset në veri për t’u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
Top Channel