
E mërkurë, 15 Gusht 2012, ndërron jetë Arbën Xhaferri. Shqiptarët e Maqedonisë dhe jo vetëm humbasin politikanin e urtë që me këshillat e tij do t’u mungojë shqiptarëve në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar.
Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte krahë proçeseve në mbarë shoqërinë shqiptare.
Në nderim të figurës së tij, emisioni Shqip i kësaj të hëne u rikthye pas në kohë duke risjellë për teleshikuesit fjalën e urtë të Arbën Xhaferrit, i ftuar disa herë ndër vite në studion e gazetares Rudina Xhunga për mendimet e tij të vyera.
Që nga statusi i shqiptarëve në Maqedoni, protestat, lufta dhe objektivat e tyre, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, situata e përgjithshme në rajon dhe roli i shqiptarëve, feja, rreziku i terrorizmit e deri tek vendi i shqiptarëve mes perëndimit dhe lindjes. Arbën Xhaferri foli dhe përcolli ndër vite mendimin e tij, që nga shumëkush është parë si rrugëdalje në situatat të vështirë, atëherë kur të tjerët nuk kishin përgjigje, Arbën Xhaferri e kishte.
Më 7 shkurt 2011, dy javë pas 21 janarit në Shqipëri, në ato ditë të nxehta të politikës në Tiranë, Arbën Xhaferri doli për herë të fundit në “Shqip”, në një emision dedikuar Shqipërisë dhe shqiptarëve ku lëshoi alarmin për polarizimin e skajshëm të politikës dhe ritheksoi përkatësinë europiane të të gjithë shqiptarëve.
Top Channel