
Kombëtarja shqiptare e futbollit u nis drejt Zvicrës ku të martën do të përballet me përfaqësuesen vendase që drejtohet nga Otmar Hitzfeld.
As trajneri i kuqezinjve dhe asnjë nga lojtarët tanë nuk kanë dashur të japim ndonjë koment për sfidën Zvicrën.
Ndërkohë ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj i kontaktuar në telefon nga Top Channel ka treguar për atmosferën që mbizotëron atje para ndeshjes së kombëtares zvicerane ku aktivizohen 5 shqiptarë, dhe përfaqësueses kuqezi.
“Është një ndeshje që pritet me interesim të madh këtu në Zvicër, qoftë nga opinion publik zviceran, por edhe ai shqiptar për faktin që 5 lojtarë shqiptarë luajnë me kombëtaren e Zvicrës, e për një arsye tjetër që numri i shqiptarëve në Zvicër shkon mbi 300 mijë, duke u bërë komuniteti më i madhe dhe gjuha shqipe si gjuha e katërt që flitet në këtë vend. Vetë futbollistë shqiptarë që luajnë për këtë kombëtare, si Shaqiri, Xhaka, Behrami kanë thënë se nuk do të jetë e lehtë përballja me kombëtaren shqiptare. Madje Shaqiri ka deklaruar se e ka të vështirë të luajë kundër kombit të tij, me Shqipërinë duke shtuar se edhe nëse fiton, edhe nëse humb, zemra e tij është kuqezi. Interesimi është jashtëzakonisht i madh. Ne kemi marrë telefonata të shumta nga bashkëatdhetarët tanë për të siguruar bileta. Është vështirë të thuhet, dhe mendoj që shifrat e dhëna nga portalet shqiptare duhen parë me rezerva. Ëshë vështirë të dihet sepse biletat janë blerë online dhe është e vështirë të mësohet sa janë shqiptarë sa janë zviceranë në stadium”, thotë për Top Channel, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.
Top Channel