
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka thirrur për të martën Këshillin e Legjislacionit, ku do të diksutohet paketa e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese dhe të mërkurën pritet zhvillimi i seancës dëgjimore.
Demokratët kishin kërkuar dy-tre javë kohë për të shqyrtuar paketën e opozitës, por kursi i mazhorancës u ndërrua në mbledhjen e grupit parlamentar nga kryeministri Sali Berisha.
Në një lëvizje surprizë dhe të moderuar, duke theksuar se qëndrimi i demokratëve është i pandryshueshëm kundër paketës së socialistëve, kryeministri kërkoi publikisht afrimin e datave, përderisa kreu i socialistëve, Edi Rama, ka siguruar se vota e opozitës do të jetë pro kufizimit të imuniteteve, sapo Parlamenti të përfundojë diskutimin e paketës së opozitës.
Kryeministri beson se, nëse imunitetet miratohen brenda shtatorit, vendit do t’i jepet shansi për marrjen e statusit në tetor.
“Meqë shatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë, unë me njerëzi do t’ju lutesha që të bëjmë gjithçka për të afruar në përputhje me rregullat afrimin e datës së votimit në Parlament për imunitete dhe të propozimeve të PS, për të cilat ne kemi shprehur qëndrimin tonë. Në rast se do të mundej që kjo proçedure të kompletohej brenda afatit kohor për të cilin po bëjmë fjalë, ky do të ishte lajmi më i mirë që ne mund t’u dërgonim partnerëve tanë në Europë dhe në botë. Le ta afrojmë ne. Nuk mund të them se çfarë do të bëjnë ata saktësisht, por të paktën për datat të mos mbetet pa u votuar në muajin shtator”, deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha la të hapur sërish mundësinë e referendumit nëse në finale Parlamenti do të dështojë të miratojë projektligjin për kufizimin e imuniteteve.
Top Channel