Prej katër vitesh, që kur erdhi në Kosovë, Peter Feith si shef i Zyrës
Civile Ndërkombëtare ishte mbikqyrësi i pavarësisë së Kosovës. Gjatë
kësaj kohe ai kishte fuqi ekzekutive mbi çdo institucion vendor.

Teorikisht, z. Feith mund të anulonte edhe një ligj të Kuvendit të miratuar me numrin maksimal të votave, 120, nëse ai e vlerësonte se nuk është në frymën e Pakos së Ahtisaarit, të anulonte ndonjë vendim të Qeverisë, apo edhe të shkarkonte ndonjë zyrtar, për të njëjtat arsye.    
 
Arsim Bajrami, ka kryesuar Komisionin për Amandamentimin e Kushtetuës për përmbylljen e mbikqyrjes, që të premten Kuvendi i dha fund, kujton se z. Feith asnjëherë nuk mori vendime të tilla gjatë kësaj kohe, siç kishte ngjarë në kohën e Përfaqësuesit Special të OKB-së, kur Kosova administrohej nga UNMIK-u.
 
 “Peter Feith ka patur fuqinë e njëjtë me Përfaqësuesin Special të OKB-së në kohën e UNMIK-ut me Rezolutën 12 44, por për dallim nga Përfaqësuesi Special, Feith asnjëherë nuk e përdori veton që ishte një praktikë jashtëzakonisht e mirë duke i lënë përgjegjësinë për vendime vet zyrtarëve vendor. Dhe me këtë, do ta quaja një qeverisje shumë pragmatike për dallim nga qeverisja e UNMIK-ut kur Përfaqësuesit Special disa herë janë konfrontuar me institucione, kanë shfuqizuar ligje, rezoluta dhe në një mënyrë e kanë ulur autoritetin e institucioneve vendore”, thotë Arsim Bajrami, kryetar I Komisionit për Amendamendimin e Kushtetutës.
 
Profesori universitar, shpjegon se pas përmbylljes së mbikqyrjes është Gjykata Kushtetuese si institucion vendor, që mund të shfuqizojë ndonjë ligj apo akt nënligjor nëse vlerësohet si kundërkushtetues.
 
Sipas Bajramit, në kohën e organizatave shumëkombëshe, e mbishtetërore, teoria e sovranitetit absolut është plotësisht e konsumuar, dhe Kosova do të vazhdoj të ketë mbikqyrje në kuptimin siç e kanë edhe vendet tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE apo NATO.
 

“Absolutisht Kosova do të jetë në konstelacion ndërkombëtar dhe ne do të kemi në vazhdimësi mbikqyrje dhe presione ndërkombëtare sidomos nga BE në rrugën e integrimit europian. Duhet me largu iluzionin se net ash do të mund të bëjmë çfarëdo me shtetin tonë; se mund të shfuqizojmë edhe standardet e Pakos së Ahtisaarit, apo mund të ulim të drejtat e pakicave. Kjo është e pamundshme, sepse ne do të jemi të kufizuar me BE-në dhe me NATO-n, sepse Kosova ka aspirate të anëtarësohet në këto organizata”, tha Bajrami.
 
Sidoqoftë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar, që përbëhet nga 23 shtete europiane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nga SHBA e Turqia, do të mblidhet në Prishtinë në fillim të javës dhe do të deklarojnë përfundimisht se “mbikqyrja e pavarësisë përfundon”.

Top Channel