
Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur duket se do të sjellë një zgjidhje të re për veriun e Kosovës, e cila nuk gjendet në planin e Ahtisarit. Në një konferencë për media të mbajtur pak orë pas votimit në Kuvend të amandamenteve që hapin një kapitull të ri për Kosovën, kryeministri Hashim Thaçi tha se plani i Ahtisarit është zbatuar në përpikmëri.
Heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare sipas kryeministrit përkthehet në pavarësi të plotë dhe përgjegjësi të reja për për shtetin.
“Mund të them lirisht se Kosova ka implementuar me përpikmëri dokumentin e presidentit Ahtisari për ndërtimin e Kosovës europiane shumëetnike”, tha Thaci.
I pyetur për zbatimin planit të Ahtisarit në veri, kryeministri iu referua thjeshtë një plani integrues.
“Mbetet për të bërë edhe shumë punë në veri. Do të kemi veprime të koordinuara me NATO-n dhe EULEX. Një nga motivet kryesore për vazhdimin e mandatit të tij është kjo cështje dhe edhe në veri do të ketë lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve, rend dhe ligj, lidership legjitim dhe investime. Do të kemi implementim të plotë të planit integrues”, vijoi kreu i qeverisë.
Sa i përket dialogut me Beogradin, ekzekutivi kosovar mendon se Serbia duhet t’i zbatojë paraprakisht marrëveshjet e arritura. Kryeministri shtoi se do ta fillojë dialogun me serbët e veriut dhe paralajmëroi shuarjen e strukturave paralele, sic tha ai me forcën kushtetuese dhe ligjore.
Ndërsa i pyetur për cështjen e prefiksit të përbashkët me Shqipërinë, Thaci shpalosi qendrimin e qeverisë dhe tha se mbështet rezolutën e Kuvendit.
Top Channel