Një “Pasdite” me Timo Fllokon

07/09/2012 18:45

Timo Flloko ishte i ftuari special i emisionit “Pasdite në Top Channel”. Jo vetëm aktrimi, por edhe poezia e përkthimi ishin temat që u prekën nga aktori i famshëm shqiptar.

Timo tregon fillimisht për suksesin që ka pasur kënga “Kuturu”, teksti i së cilës është shkruar prej tij: “Tekstet e këngëve janë shumë të lidhura me poezinë. Kishte raste që Pirro Cako më kërkonte ndonjë tekst kënge. Në vitin 2001 kam bërë tekstin e parë, por Kuturuja pati impaktin më të madh. Kënga tregon jetën e një bohemi që kërkon dashurinë në realitetin shqiptar, ndërsa titulli i përshtatet edhe shoqërisë sonë të hallakatur.”

Në lidhje me përkthimet, aktori shprehet: “Nuk jam përkthyes profesionist, por kam përkthyer librin “Përtej Famës”, autobiografinë e Marlon Brandos. Gjuhën shqipe e di shumë mirë dhe anglishten e kuptoj, kështu që pse mos ta merrja iniciativën.”

Timo Flloko jetoi edhe për disa kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por theksoi se nuk ishte një përpjekje për të hyrë në Hollivud: “Unë nuk shkova në Amerikë për të nisur karrierën në Hollivud. Unë nuk u nisa me mendimin se do të luaja me De Niron apo Al Pacinon. Është e vërtetë që shkova në një audicion, por kjo nuk ka rëndësi. Kam pasur role të vogla në disa filma. Unë ai aktor që jam këtu mund të isha edhe atje, nuk ishte problemi i gjuhës, por suksesi për një aktor të huaj varet edhe nga numri i bashkëkombasve të tij në SHBA. Siç është edhe rasti i Antonio Banderas, ku komuniteti spanjishtfolës në SHBA është 35% e popullsisë.”

Në fund, Timo Flloko foli edhe për familjen: “Të jesh gjysh më pëlqen shumë. Njeriu i do fëmijët e tij, por me fëmijët e fëmijëve provova që qenka diçka shumë më ndryshe. Të lind një dashuri krejt tjetër që nuk e ke provuar më parë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA