Një ditë para ndeshjes me Qipron, trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biazi ka bërë një analizë për punën e tij 8 mujore me përfaqësuesen tonë kuqezi e cila ishte fokusuar më shumë tek loja në grup.
Tekniku italian ka lavdëruar lojtarët që ai ka grumbulluar qoftë edhe të rinjtë, ndërkohë që ka paralajmëruar se Qipro është një kundërshtar i vështirë që mund të bëjë dhe suprizë.
“Unë kam thënë që Qipro është një skuader e mirë por s’kam thënë që është Spanja. Është një skuadër që duhet respektuar pasi futbolli sot është shumë i ekuilibruar. Që të fitosh duhet të dalësh në fushë me përgatitjen e duhur, me përqëndrimin e duhur dhe sigurisht të dalësh në fushë me mendimin se ti duhet të fitosh. Për mua lojtarët kanë ecur shumë mirë në pjesën taktike ndërkohë që nuk janë 100% në anën fizike. Do të jetë shumë, shumë e vështirë, por ne do të mundohemi që nga minuta e parë dhe deri te ajo e fundit ta fitojmë këtë ndeshje”, tha trajneri Gianni De Biazi.
Kapiteni i kombëtares Lorik Cana ka ftuar të gjithë shqiptarë të jenë me këmbë në tokë dhe të mos ëndërrojnë shumë për ndonjë kualifikim në Botëror edhe nëse mundim Qipron.
Përsa i përket formacionit anti-Qipro, trajneri De Biazi nuk ka publikuar asnjë emër, ndërkohë që tha se do t’i nxjerrë në fushë të gjithë ata lojtarë që janë më në formë për momentin.
Top Channel