Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac ka përshëndetur vendimin e
Parlamentit kosovar, për zgjatjen e mandatit të misionit evropian për
rendin dhe ligjin.

Sipas tij, ky vendim është një dëshmi për gatishmërinë e Prishtinës zyrtare për të vazhduar partneritetin e ngushtë mes institucioneve kosovare dhe misionit të BE-së.

“Votimi i sotëm në Kuvend është një tregues i fuqishëm i vendosmërisë së Kosovës për të përmirësuar sundimin e ligjit, ndërsa misioni që drejtoj unë do të vazhdojë përkrahjen e tij në këtë proçes”, ka thënë De Marnhac.

Gjatë së premtes, me 97 vota ‘pro’, 11 ‘kundër’ dhe asnjë ‘abstenim’, ligjvënësit kosovarë miratuan ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për mandatin e EULEX-it.

Me këtë ligj mandati i misionit europian zgjatet deri në qershor të vitit 2014. Këtë ligj e mbështetën të gjitha grupet parlamentare, përveç lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo e kundërshtoi zgjatjen e mandatit të këtij misioni me argumentin se politika neutrale e EULEX-it e përforcon mosnjohjen e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së, “sepse këto shtete do të arsyetojnë se vetë EULEX-i si institucion i BE-së nuk e njeh Kosovën si shtet”.

Top Channel