Në Maqedoni po vazhdon lufta verbale mes partive që përbëjnë koalicionin qeveritar, BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Fakti që këto dy subjekte bashkëqeverisin, nuk e ka penguar deputetin e VMRO-DPMNE-së Vele Gjorgjievski që ta quajë ushtri ekstremiste dhe terroriste UCK-në që në vitin 2001 drejtohej nga lideri i tanishëm i BDI-së, Ali Ahmeti.

Duke folur rreth krizës politike që shkaktoi projektligjit i partisë së tij, deputeti maqedonas tha se miratimi i tij nuk mund të pengohet.

“Nuk do të isha përkulur asnjëherë para një ushtari të vrarë të ushtrisë ekstremiste dhe terroriste, që e kishte sulmuar Maqedoninë në vitin 2001. Sa i përket ligjit, ai do të kalojë në Kuvend dhe në atë mënyrë do të korrigjohet një padrejtësi që i është bërë ushtarëve që mbrojtën Maqedoninë”, tha Vele Gjeorgjievski.

Por deputetët e partisë shqiptare BDI shprehen të bindur se projekt-ligji që garanton të drejta të vecanta vetëm për ushtarët maqedonas dhe përjashton luftëtarët e UCK-së nuk do të kalojë në Kuvend. Ata kanë paralajmëruar fjalime të gjata për të dëshmuar se mund ta pengojnë nismën e partisë maqedonase. Gjatë tërë ditës së enjte ka zgjatur vetëm fjalimi i deputetit Talat Xhaferi, në komisionin parlamentar për punë dhe politike sociale, ku po debatohet për projektligjin problematik.

“Ju rikujtoj edhe një herë se ky fjalim mund të zgjasë dhe nuk është i kufizuar. Ne si deputetë që nuk pajtohemi me propozim ligjin do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë institucionale dhe demokratike që ta ndalojmë miratimin e këtij ligji dhe ne jemi të bindur se nuk do të miratohet ky ligj”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Deputetët e BDI-së do të përdorin edhe mekanizma tjerë ligjorë për të bllokuar projektligjin e VMRO-DPMNE-së, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që kjo parti të dorëzojë mijëra amendamente për të bllokuar punën e Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA