
Kristiano Ronaldo tashmë është vënë në qendër të vëmendjes së medias
sportive me deklaratat e tij, gjë që ka bërë që të zbulohen skenare nga
më të ndryshmet në lidhje me të ardhmen e tij.
Një gje të tillë e ka bërë edhe e përditshmja madrilene ‘AS’, sipas së cilës gjatë verës, drejtuesit e Manchester City-t bënë një ofertë marramendëse për yllin portugez prej 200 milionë Eurosh duke i garantuar këtij të fundit një pagë prej 20 milionë Eurosh në sezon.
Megjithatë, drejtuesit e klubit madrilen nëpërmjet agjentit të Ronaldos, Zhorzh Mendes refuzuan menjëherë këtë ofertë, të favorizuar edhe nga klauzola e zgjidhjes së kontratës së portugezit prej 1 miliardë Eurosh.
Por duket se kjo nuk e ndal aspak sheikun Mansur që të vijojë tentativat e tij për të siguruar shërbimin e sulmuesit portugez. Mendohet se duke parë edhe situatën e krijuar në Madrid, drejtuesit e Manchester City-t do të bëjnë një tjetër ofertë në muajin janar per Ronaldon.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit anglez do të kërkojnë të shfrytëzojnë ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes Realit të Madridit dhe Manchester City-t në 18 shtator për të zhvilluar bisedimet e para në lidhje me këtë cështje. Synimi eshte që gjithçka të mbyllet para sezonit 2014/2015 kur do të hyjë në fuqi rregulli i Fair Play financiar.
Top Channel