“Po përgatis një tavë me koran, karakteristike e Pogradecit.”
Kjo nuk është kronika e zakonshme ku mësojmë si të gatuajmë, por ky është Festivali Ballkanik i filmit dhe kuzhinës në Pogradec.
Kemi kërkuar që të ishim të pranishëm në datën që ishte programuar darka shqiptare për të marrë përshtypjet e vërteta nga ata që do të gjykojnë filmat dhe sigurisht kuzhinën.
Në fundin e sezonit veror qyteti breg liqenit hap dyert për kineastët e Ballkanit dhe shtron tavolinat për të gjithë ata që duan të zhyten në shijet e rajonit.
Ndërkohë që anëtarët e jurisë janë të zënë duke parë filmat të përqendruar, kuzhinierja e aktivitetit është e zënë në përpjekje për të fituar një tjetër lloj çmimi.
Charlie Kokey, anëtari amerikan i jurisë, shprehet: “E adhuroj këtë event sepse ka të bëjë me dy pasionet e mia më të mëdha: ushqimin dhe filmat. Sa i takon filmave, pavarësisht temës që pelikula trajton, e ndjen se sa vuajtje ka kaluar rajoni dhe regjisorët janë të ndikuar nga historia e afërt, por mrekullisht këto filma nuk janë kurrsesi të errët dhe depresivë.”
Ndërkohë që Charlie po vlerëson filmat, kuzhinierja jonë e besuar po vlerëson freskinë e koranit. Pranë saj shkarpat për zjarrin e lakrorit me dy peta po bëhen gati.
Por Charlie po pret: “Unë vij nga një vend ku kemi shumë kullota, por sidoqoftë qengjin më të mirë e kam ngrënë në Shqipëri. Meraku im i vetëm është një gjellë që bëhet nga stomaku i kafshës dhe nuk e kam provuar ende bashkë me koranin që më thanë është në program sonte.”
Në anën tjetër të shëtitores, buzë liqenit, sekretet e koranit në tavë tregohen për kamerën tonë.
“Të huajt e pëlqejnë shumë tavën e koranit. Peshku duhet të jetë i freskët që tava të jetë e shijshme. Ka që nuk pëlqejnë erëzat apo majdanozin, por tava i do të gjitha sepse nëse nuk do i ketë, nuk bëhet siç duhet”, tregon kuzhinierja.
Një tjetër anëtare jurie është zonja Anne Poulsen, nga Danimarka. Gazetarja që në karrierën e saj ka mbuluar luftën e Kosovës i kupton lehtësisht dinamikat e balkanasve.
“Festivali ka një qëllim shumë të mirë, pra të bëjë bashkë ballkanasit nëpërmjet filmave dhe duke qenë nga këto vende sigurisht dhe nëpërmjet ushqimit. Është një pikë takimi në një vend ku ka pasur shumë pika ndarjeje dhe të nxehta”, thekson Poulsen.
Meqë ra fjala tek pikat e nxehta, pika jonë e fortë, përveç filmave me të cilët konkurron Shqipëria, do të jetë peshku i sapo kapur në ujërat e liqenit.
Gazetarja daneze sigurisht që është një degustatore e mirë e filmave, por edhe e kuzhinës: “Në kaq pak ditë kam filluar të dalloj ndryshimet mes kuzhinave të ndryshme, megjithëse nuk mundem t’i artikuloj e t’i shpjegoj ato.”
Në këtë juri ndërkombëtare nuk mund të mungonte anëtari italian. Një dashamirës i tavolinës së mirë pavarësisht se nga cila pjesë e Italisë ai vjen. Sidoqoftë gazetari dhe shkrimtari Domenico Samartino është përsëritës në eksperiencën e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë.
“Është një eksperiencë mbi kulturën, artin dhe kuzhinën dhe mbi të gjitha është një iniciativë që e fshin atë imazhin e keq të Ballkanit dhe tregon që armiqësitë kalohen dhe kufijtë mund të kthehen në pika takimi”, tregon Samartino.
Megithatë Domenico Samartino e di shumë mirë që edhe tavolina është një pikë shumë e mirë takimi, ajo tavolinë për të cilën zonja që sot është kuzhinierja e “Pasdites” po mundohet prej orësh tashmë.
Domenico Samartino shton: “Sa për ushqimin, jam absolutisht i hapur për përjetime të ndryshme. Sigurisht që nëpërmjet shijes është mënyra më e mirë për të njohur njerëzit dhe tokën.”
Korani ynë është pothuajse gati ndaj z. Samartino bashkë me kineastët e tjerë duhet të presë dhe pak fare ose thënë ndryshe 30 minuta në pjekje 250 gradë.
Top Channel