Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka mbajtur një fjalim në mbrojtje të Barack Obama, duke emëruar presidentin për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Fjalimi i tij i gjatë 50 minuta në Konventën e Demokratëve të mbajtur në Sharlot, ishte shumë kritik ndaj planeve ekonomike të republikanëve. Clinton bëri një mbrojtje të fortë të politikave të presidentit Obama, duke thënë se ato po funksionojnë.
Fjalimi i ish-presidentit shihet si pika më e lartë e rigjallërimit të marrëdhënieve mes dy liderëve, si një përpjekje për të nxitur apelin e zotit Obama ndaj klasës së punëtorëve të bardhë.
Sondazhet tregojnë se kjo kategori e votuesve janë të matur ndaj zotit Obama, por zoti Clinton ka një rekord të fuqishëm në sigurimin e mbështetjes së tyre. Ai i tha turmës se, ata do të vendosin se në ç’lloj vendi duan të jetojnë.
“Nëse doni një vend të tipit ‘bëni si të doni, fituesi merr gjithë shoqërinë’, atëherë votoni për republikanët. Por nëse doni një vend me mundësi dhe përgjegjësi të barabarta, një vend të tipit ‘jemi të gjithë së bashku’, atëherë duhet të votoni për Barack Obama dhe Joe Biden”, ka thënë Clinton.
Zoti Clinton akuzoi republikanët se po bllokojnë progresin e mëtejshëm në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe se janë futur thellë në detajet e debateve politike.
“Në mënyrë që të duken si një alternativë e moderuar dhe e pranueshme në vend të presidentit Obama, ata nuk mundën të thoshin shumë për idetë që kanë ofruar në dy vitet e fundit”, tha më tej Clinton, duke iu referuar Konventës Republikane në Florida një javë më parë.
Top Channel