Bie luksi i makinave të reja

06/09/2012 00:00

Niveli i të ardhurave ekonomike duket se po privon gjithnjë e më shumë
qytetarët shqiptarë nga blerja e makinave të reja. Koncensionarët thonë
se për shkak të krizës, blerjet në tregun e makinave të reja këtë vit
kanë pësuar rënie të fortë.

Nëse nga viti 2008 deri në 2011-ën, rënia e fuqisë blerëse në tregun e makinave të reja ka qenë 40 për qind, vetem brenda nje viti kjo rënie është 20 deri në 25 për qind. Sipas koncensionarëve, efektet e krizës ekonomike po ndjehen veçanërisht tek shtresa e mesme e popullsisë, e cila ka reduktuar blerjet në tregun e makinave të reja.

“Nëse i referohemi vitit 2011, tregu i makinave shënoi rreth 3100 makina të shitura në treg dhe me keqardhje vërejmë se këtë vit do të ketë rënie me rreth 20 deri 25 për qind krahasuar me vitin 2011”, thotë Gentian Bushati, drejtor i Përgjithshëm i “Porsche Albania”.

Vendimi i qeverisë për të hequr doganën e makinave të importuara ka bërë që shumica e qytetarëve shqiptarë të sigurojnë automjetin e tyre ne tregjet e huaja si Gjermania apo Italia fqinje. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Doganave, nëse në vitin 2011 në vendin tonë kanë hyrë 7732 autovetura, në 2012 kjo shifër thuajse është katërfishuar.       

“Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe adoptimi që iu bë atij përsa i përket taksave të makinave të përdorura në treg, pati një impakt të menjëhershëm në një rritje sinjifikative të makinave të përdorua në Shqipëri”, thotë Bushati.

Çfarë ka tkurrur këtë treg është edhe vendimi i qeverisë për të reduktuar ndjeshëm blerjet për titullarët dhe institucionet e shtetit. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe bizneset private, të cilat kanë tendencen të rrisin kohën e përdorimit të makinave të reja duke kursyer shpenzimet.

Top Channel