“Zgjedhjet në SHBA, pengojnë ndërhyrjen në Siri”

05/09/2012 00:00

Kryeministri turk, Recep Taip Erdogan fajësoi zgjedhjet presidenciale për “hezitimin” e Shteteve të Bashkuara për të ndërhyrë në Siri.

Në një intervistë për CNN nga Stambolli, kryeministri turk tha se SHBA ka disa objektiva në politikën ndërkombëtare, objektiva që për momentin nuk janë përmbushur prej saj.

“Për momentin janë disa cështje ku pritet më shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe deri më tani, këto cështje nuk kanë marrë rëndësinë e duhur prej Uashingtonit.  Ndoshta kjo ndodh për shkak të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ndoshta ky është shkaku i mungesës së nismës. Por askush nuk na ka sqaruar ne për këtë dhe nuk mendoj se janë të detyruar ta bëjnë. Megjithatë ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për qendrimin e tyre kundër regjimit të Assad”, tha Erdogan.

Më tej kryeministri turk i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit në OKB të deklarojë zonë ndalim-fluturimi hapësirën ajrore përgjatë kufirit turko-sirian.

Ndërsa duke folur për rrezikun  më të madh që kërcënon Turqinë, Erdogan tha se ai është armët e shkatërrimit në masë. Duke u ndalur tek programi bërthamor iranian, kryeministri turk komentoi zërat që qarkullojnë në media për një sulm izraelit ndaj Teheranit. Ai tha se mundësitë që kjo të ndodhë janë nul. Një sulm izraelit kundër Iranit do të shkaktonte një situatë apokaliptike në të gjithë rajonin, përfundoi Erdogan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB