Ndonëse nevojiten tre muaj deri në rifillimin e merkatos, tre të mëdhenjtë e Italisë kanë nisur ndërkohë të punojnë për përforcimet e janarit, kryesisht mbi bazën e atyre blerjeve që nuk realizuan dot në verë.
Pavarësisht mbërritjes në Torino të Bendner, sulmuesi i Bilbaos, Fernando Llorente mbetet ende lojtari i ëndërruar për kampionët e Italisë, që shpresojnë të përfundojnë me baskun një marrëveshje në janar, për të kaluar në fanelën bardhezi në sezonin e ardhshëm.
Pasi klubi nuk ishte i gatshëm të paguante 30 milionë euro për prishjen e kontratës së tij, tashmë Juventusi mund të përfitojë sulmuesin pa para, duke qenë se marrëveshja e tij aktuale skadon në qershor 2013 dhe që nga janari lojtari do të jetë i lirë të negociojë vetë pa aprovimin e klubit.
Për ta bindur, drejtori administrativ, Beppe Marotta, është duke përgatitur një ofertë të majme, me një pagë prej rreth 4.5-5 milionë eurosh.
Në janar, pritet që Juventusi të bëjë një ofensivë të re edhe për mbrojtësin e majtë të Atalantës, Peluson, e vlerësuar maksimalisht nga drejtuesit torinezë.
Nga ana e tij, Interi është përqendruar tek merkato braziliane, ku shpresohet të përfundohet marrëveshja me Paulinhon e Corinthias. Për sulmuesin do të pritet rikthimi nga Botërori i Klubeve, për të nisur bisedimet mbi bazën e 13-15 milionë eurove.
Në vëmendjen e zikaltërve mund të rikthehet edhe Floccari, sulmuesi për të cilin Lazio kërkoi një pagë prej rreth 4,7 milionë eurosh, por që në janar duket se pretendimet e klubit për të do të reduktohen ndjeshëm për shkak të kontratës në skadim.
Tek Milani, e gjithë vëmendja është përqendruar tek Yanga-Mbiëa, qendërmbrojtësi i konsideruar nga Montpellier si Thiago Silva i ri.
Pasi klubi francez refuzoi ofertën prej gjashtë milionë eurosh të Milanit, të konsideruar të pamjaftueshme, tashmë gjithçka do të varet nga 19-vjeçari, pasi me kontratën në skadim, ai gjithashtu do të ketë fatin e tij në dorë duke nisur nga janari 2013 dhe marrëveshja verbale midis tij dhe Milanit, tashmë duket plotësisht e përfunduar.
Top Channel